Lajmet e fundit

Me tensione e akuza dhe kundërakuza u zhvillua raportimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në Komisionin për Ekonomi.
Ishte kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, i cili e kritikoi këtë të fundit për, siç thotë, vonim dhe stërzgjatje dyvjeçare të shqyrtimit të 44 aplikacioneve për statusin e investitorit strategjik.
Por, ky shqetësim i Shalës ngriti dyshime për diçka tek Armend Muja i Vetëvendosjes.
“Që nga fillimi i këtij Komisioni, është pikërisht te kompania ‘Moxikolumo’, kryetar ke pasur një fokus të veçantë tek kjo kompani. Pyetja ime është a keni ju konflikt interesi ose interes drejtpërdrejt tek kjo kompani? Sepse në Shalën e Bajgores ku planifikohet, të gjithë mua më kanë raportuar, banorët, që ju keni interesa të drejtpërdrejta”, ka thënë Armend Muja.
Përgjigja e Shalës ishte krejt e drejtpërdrejt.
“S’ka konflkt interesi hiq”, u shpreh Ferat Shala
Përveç kësaj, Shala ka thënë se joadekuat është edhe komunikimi i ministres me investitorët.
“Ka qenë për mua befasi, si ka mundësi në nivel të ministres komunikon me investitorët në Whatsapp”
Ministrja Hajdari e pranoi se komunikon me investitorët në Whatsapp, por ajo ka shtuar se konfirmimet janë të shkruara përmes e-mailit.