Lajmet e fundit

Shërbimi sekret serb BIA i dërgoi sot letër Shërbimit Informativ Federal të Zvicrës, në të cilën i dënon dhe mohon ashpër, siç thuhet në një deklaratë të dërguar për Tanjug, “pretendimet dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së dikujt".
Bëhet e ditur se BIA ka reaguar ndaj, siç i ka cilësuar, gjoja kërcënimeve me vdekje ndaj ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili ishte angazhuar në hetimin e krimeve të supozuara të luftës të UÇK-së.
Bernard Nikaj, nga PDK-ja, në një intervistë në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, një hije dhe një përpjekje e vazhdueshme nga Serbia, përmes shërbimeve tjera sekrete, në bashkëpunim me ato të Rusisë, "ka qenë që të njolloset shteti i Kosovës dhe lufta që ka zhvilluar UÇK-ja".
Sipas tij, Dick Marty ka qenë një prej mjeteve dhe preponentëve kryesorë të kësaj përpjekjeje.
"Kjo përpjekje gjithmonë është informuar dhe përkrahur përmes Shërbimeve Sekrete Serbe dhe i cili, përmes raportit të tij famëkeq, ka provuar ta njollosë luftën e UÇK-së dhe ka provuar të vendosë një hije të zezë edhe në procesin e Pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, në përgjithësi”.
“Në 12 vitet e fundit, Kosova në arenën ndërkombëtare është përndjekur nga ky raport i ndërtuar plotësisht në akuza të pabaza të furnizuara nga shërbimet sekrete të Serbisë dhe së fundmi pretendimet e Martyt dhe frika e tij që këto shërbime sekrete po tentojnë që ta eliminojnë dhe t’ia mveshin fajin Kosovës, e vërteton faktin që ndoshta këto shërbime kanë kryer atë që kanë dashur të bëjnë me të. Mbi këto pretendime është themeluar një Gjykatë komplet e padrejtë dhe nga aktakuzat e ngritura ndaj liderëve tanë shtetërorë, e kemi parë që gjykata e heton luftën e UÇK-së”.
Nikaj thotë që Dick Marty po e ndjen veten të kërcënuar "nga ata që deri dje e kanë furnizuar me informata dhe pretendime të rrejshme".