Lajmet e fundit

Hoxhë Muhamed Dermaku, duke e komentuar rastin e ndalimit të mbulesës në Shkollën e Mesme Teknike në Gjakovë, tha që drejtoresha e shkollës, në aspektin juridik, nuk është fajtore.
“Drejtoresha është dashur ta dijë që një gabim që ka mundur ta bëjë një epror i saj, në këtë rast ata që kanë vendosur këtë udhëzim administrativ, ku do të përkthehet në praktikë (me foto) do të ishte dashur si një intelektuale ta kuptojë që mund të prodhojë provokim".
Dermaku, në një intervistë në "Info Magazine" në Klan Kosova, ka thënë që ky faj intelektual, siç e ka quajtur, asaj nuk mund t'i largohet.
"Por, në kuptimin juridik të fjalës, drejtoresha nuk ka faj. Sepse ajo është munduar ta implementojë një udhëzim administrativ, që fundja e kanë obligim të gjithë drejtorët e shkollave".
Por, një mendim ndryshe e ka hoxha tjetër, Labinot Maliqi, i cili po në "Info Magazine" të Klan Kosovës, ka qenë më i ashpër ndaj drejtoreshës së kësaj shkolle, duke kërkuar largimin e saj nga ky post.
Madje, ai ka kërkuar që e njëjta të japë edhe përgjegjësi ligjore.
"Ne kërkojmë që ndaj drejtoreshës në fjalë të merren masa ligjore nga institucionet ligjore, derisa kërkojmë nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që ta përjashtojë drejtoreshën në fjalë dhe të mos i jepet asnjë mundësi t’i shërbejë institucionit arsimor në asnjë nivel, as në Gjakovë apo diku tjetër. Një person i tillë, i cili mbjell urrejtje, ka mosdurim fetar dhe krijon përçarje në popull, nuk duhet të jetë i mirëpritur për asnjë nxënës dhe asnjë institucion dhe assesi nuk duhet t’i jepet hapësira që t’i edukojë të rinjtë dhe të rejat tona”.
Hoxhë Maliqi e ka cilësuar shenjën e ndalimit të mbulesës, bashkë me dukuritë negative si pijet alkoolike dhe duhanin, si veprim fashist, i cili mbjell urrejtje fetare.
"Tani ndodhi edhe ky veprim fashist dhe islamofob, që padyshim se bie ndesh me ligjet e Kosovës, sepse është mosdurim fetar, i cili mbjell urrejtje ndaj një komuniteti të madh, ku 96.8 % e qytetarëve i përkasin besimit islam".
"Veprimet e tilla që barazohen me dukuritë negative, t’i quajmë ofenduese, është ofendim për neve, janë më shumë sesa ofenduese. Ne kërkojmë që Ramush Haradinaj të ketë kujdes ndaj atyre të cilët i ka emëruar, sepse drejtoresha në fjalë është anëtare dhe ish-kandidate për Asamblenë Komunale në Gjakovë. Natyrisht që ajo nuk përfaqëson vetëm emrin e vet, por përfaqëson institucionin shkollor, por edhe partinë, e cila e ka emëruar në atë institucion. Ne nuk dëshirojmë që askush të bëhet shkak që të dëmtojë imazhin e institucionit, ose ndonjë partie", ka thënë ai.