Lajmet e fundit

Për vetëm një person, prokuroria ka ngritur aktakuzë për krime të luftës gjatë vitit të kaluar.
Kështu u tha gjatë prezantimit të raportit vjetor të Fondit për të Drejtën Humanitare nga monitorimi i gjykimeve mbi krimet e luftës dhe veprave penale të motivuara etnikisht dhe politikisht gjatë vitit 2021.
Amer Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, tha se vetëm një aktakuzë e ngritur për krime të luftës gjatë 2021-tës nuk sjell satisfaksion për viktimat e krimeve të luftës.
"Raporti që e kemi publikuar sot titullohet: “Drejtësia për krimet e luftës”, përmes të cilit, ne e përcjellim një mesazh tek institucionet përgjegjëse për ndjekjen e krimeve të luftës. Në këtë raport i kemi shpalosur analizat e krimeve të luftës, të cilat janë gjykuar përgjatë vitit 2021. Brenda këtij raporti janë 13 procese gjyqësore, 10 prej tyre janë për krime të luftës dhe tre janë raste që kanë prapavijë politike apo etnike".
"Gjatë vitit të kaluar, është ngritur vetëm një aktakuzë dhe poashtu janë arrestuar dy persona nën dyshim për krime të luftës në Kosovë dhe ata gjenden në paraburgim. Vetëm një aktakuzë e ngritur gjatë vitit 2021 nuk sjell ndonjë satisfaksion për viktimat e krimeve të luftës, duke pasur parasysh që në luftë kanë humbur më shumë se 10 mijë viktima civile dhe 23 vjet pas përfundimit, vetëm rreth 70 persona të dyshuar për krime të luftës janë dënuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Tribunalin e Hagës", tha ai.
Alija ka thënë që sfida kryesore në ngecjen e këtyre proceseve është mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar mes Serbisë dhe Kosovës.