Lajmet e fundit

"Ballafaqimi i Kosovës me të kaluarën", është një iniciativë qytetare e cila ka për qëllim që të informojë dhe të udhëzojë akterët publik si dhe politik në lidhje me trajtimin e viktimave të mbijetuarve dhe narrativat historike gjithashtu, edhe në të kaluarën tonë të dhimbshme që e kemi përjetuar si shoqëri si shtet gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Lidhur me këtë ka folur në Info Magazine në Klan Kosova, Marigona Shabiu, si përfaqësuese e kësaj iniciative, e cila ka thënë që kjo nismë ka filluar që disa vite tashmë nga një grup i organizatave të shoqërisë civile si dhe aktivistë dhe ekspertë të fushës së ballafaqimit me të kaluarën.
"Ata janë bërë bashkë në mënyrë që të krijojnë një lloj kornize të këtyre parimeve. Gjatë këtij viti të fundit, ne si grup i organizatave kemi bërë një kampanje intensive që t’i informojë politikanët dhe deputetët, por edhe akterët tjerë publik sidomos gazetarët që kanë një influencë në opinionin publik dhe kemi pasë një fushatë mjaft aktive edhe në informimin e të rinjve dhe të grupeve të tjera shoqërore".
Tutje Shabiu ka thënë që kjo nismë edhe këto parime sigurisht që i adresojnë janë shumë të rëndësishme për të gjithë shoqërinë në Kosovë.
"Por, me theks të veçantë iu referohen edhe ju adresohen politikanëve dhe vendimmarrës në shtetin tonë. Në të kaluarën, por edhe tash vazhdon prania e një diskursi publik i cili nuk e ka viktimën dhe nuk i ka të mbijetuarit në qendër, nuk flitet në shumicën e kohës pa prova ka shpeshherë edhe diskurs i cili nuk e respekton dinjitetin dhe integritetin e viktimave dhe të mbijetuarve.Krejt këto ndikojnë në krijimin e një situatë e pafavorshme për viktimat dhe të mbijetuarit e luftës së fundit në Kosovë dhe ndikon negativisht në shërimin e plagëve që vazhdojnë të jenë të hapura", tha ajo.