Lajmet e fundit

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë që përmes Ligjit për Pagat nuk ngrihen pagat, por ky ligj rregullon pagat në sektorin publik dhe e jep atë në mënyrë të dinjitetshme.
Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet lidhur me çështjen e pagave në sektorin publik, tha që ky projektligj po diskutohet tash e 10 vjet në qeveri të ndryshme, deri në Qeverinë Haradinaj, në të cilën u miratua dhe u votua në Kuvend.
"Shpeshherë po mundohet të portretizohet që ky është ligj për t'i ngritur pagat. Ky nuk është një ligj për t'i ngritur pagat, por është një ligj që rregullon paga në sektorin publik dhe që u jep një pagë të dinjitetshme rreth 70 mijë zyrtarëve publikë dhe rregullon një herë e përgjithmonë pagën bazë, shtesën dhe kompensimin".
Tutje Tahiri e ka kritikuar qeverinë që po e neglizhon Ligjin për Paga ose, sipas tij, janë të pazotë për t’u marrë me këtë.
"Ka ndodhur një neglizhencë, e cila është ose mungesë e vullnetit politik për të shtyrë përpara këtë projektligj ose pazotësi me u marrë me këtë temë të madhe, ose një dëshirë në agjendën legjislative ose planin e qeverisë, pasi s’ka asnjë veprim të deritashëm. Synimin me këtë debat nuk e kemi që të kemi një betejë partiake politike, por qëllimi ynë është fisnik, që bashkërisht këtë ligj me shty përpara".
Tutje, Tahiri tha se raportet kredibile ndërkombëtare, si ai për vendin e BE-së, ka vlerësuar këtë arritje, përkushtimin asokohe të qeverisë për reformën.
Ai e ftoi qeverinë për diskutim, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.
"Ju ftoj që diskutimet t'i vendosim në fokus të gjetjes së zgjidhjes, e qysh sot të nisim komunikimin e dialogun me palët. Të diskutojmë mbi mundësitë reale buxhetore për zbatim. E ta nxjerrim në dritë një proces aq të rëndësishëm, jo vetëm për punonjësit, por parasëgjithash për të vendosur një sistem të drejtë të pagave", tha ai.