Lajmet e fundit

Me çaj të nxehtë e muhabet, lanë anash dallimet partiake e garën politike për pak.
Kandidati i Lidhjes Demokratike për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Armend Agolli, dhe ai i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, u bënë bashkë në veri të qytetit.
Ata po i japin përkrahje njeriut që mësyn ta drejtojë pjesën e Mitrovicës ku ka shumicë serbe, Erden Atiq, që prin listën e përbashkët të partive shqiptare.
Uniteti i politikanëve mitrovicas megjithatë nuk u plotësua për pak. Këtu mungoi, kandidati nga radhët e Vetëvendosjes njëherësh kryetari aktual, Agim Bahtiri.
Sidoqoftë, kjo sipas nikoqirit nuk e zbehu fare atë që deshën të përçojnë.
Vendin e as çajin nuk e la të ftohet fort Bahtiri.
Ky posa u ngroh pak me pije e muhabet, tregoi se u vonua për shkak të mbledhjes së Këshillit Komunal për Siguri. Dha edhe një mesazh për kundërshtarët që nuk e pritën, duke thënë se janë bërë bashkë kundër tij, por se ky do t’i rrëzojë.