Lajmet e fundit

Forca të shtuara të Njësisë Speciale të Kosovës janë vendosur sot në pikat kufitare me Serbinë në veri të vendit, për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit për targat.
Gazetari i Klan Kosovës, Besnik Tahiri, në një lidhje direkte në "Info Magazine" bëri të ditur se ende është duke vazhduar protesta e serbëve në pikën kufitare - Jarinjë.
“Situata mbetet e njëjtë nuk ka ndryshuar asgjë pos asaj që shiu që ka nisur të bie tash e një orë e gjysmë e ka bërë më të vështirë qëndrimin e kësaj bllokade. Kolona e cila është një formë bllokuese tashmë përbëhet nga dhjetëra kamionë që tash e afër dhjetë orë ka bllokuar rrugën Mitrovicë-Leposaviq”.
“Kjo kolonë është më e gjatë se tri kilometra – kamionë të ndryshëm janë marrë nga kombinati “Trepça” bëhet fjalë për Trepçën e Veriut që menaxhohet nga serbët lokal e po ashtu ka edhe makina private pronarët e të cilave thonë se dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj proteste për të shprehur pakënaqësinë e tyre me Prishtinën zyrtare që ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë”, tha Tahiri.