Lajmet e fundit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka prezantuar 21 kandidatët nga partia e tij që garojnë për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.
Haradinaj në një konferencë të përbashkët me disa nga kandidatët tha se pos përzgjedhjes së kandidatëve të duhur – vlerë ka edhe programi i qeverisjes që kanë zgjedhur, njofton Klankosova.tv.
“Kemi zgjedhur njerëzit e duhur në kohën dhe vendin e duhur për të udhëhequr komunat e tyre. Janë 21 kandidatë duke filluar nga gjashtë që tashmë veç udhëheqin me komuna. Për ne nuk ka komunë të madhe ose të vogël pasi secili qytetarë meriton kandidatin më të mirë. Nuk kemi tentu që për çdo komunë të kemi kandidat por kemi zgjedhur komunat ku e dimë se jemi favorit”.
"Vlera e dytë është oferta programore e jona që ka një fjalë “Me qytetarin” që është hartuar nga vetë kryetarët e komunave dhe në këtë formë është i mishëruar me qytetarët dhe komunat. Po ashtu me këtë dëshmojmë se sa serioz jemi në garën dhe ofertën tonë për zgjedhjet komunale", deklaroi Haradinaj.
Kryetari aktual dhe kandidati edhe për një mandat për Gjakovën, Ardian Gjini, ka thënë se në të gjitha komunat që udhëheq AAK-ja është punuar shumë dhe kanë pasur rritje në çdo aspekt.
“Për katër vjet në qeverisje duhet t’ju them se s’mund të jetë rastësi që në gjashtë komunat që udhëheqim me qenë jashtëzakonisht të përkushtuar në punë dhe të gjithë janë të pastër duke përmbyllur mandatin ballë hapur dhe me pas mundësi me kërku edhe një mandat tjetër”.
"Askush nuk mund të jetë perfekt por nëse bëjmë krahasim me qeveritë e ardhshme dhe të tashme rritja është në gjitha aspektet" tha Gjini.
Ndërsa kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se ka përmbushur mbi 70 përqind të zotimeve që ka bërë më 2017.
“Më 2017 jam zotuar për shumë gjëra dhe kam përmbushur mbi 70 përqind të zotimeve që kam bërë. Kam qenë me qytetarët në zjarr, shi e në momente të mira e të rënda këtë më shumë do ta bëjë edhe në mandatin tjetër”.
Haradinaj kur u pyet se pse vetëm një grua kandidate për kryetare të Komunës ka thënë se listat për asamble përmbajnë emra të shumtë të grave kandidate për asamblistë.