Lajmet e fundit

Plot 216,899 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura nëpër sirtarë gjatë 2019-ës. Ky numër rastesh është përmirësim në raport me vitet e mëhershme, por synohet që grumbullimi i lëndëve të mos ekzistojë edhe gjatë së ardhmes.
Rastet e natyrës civile e komerciale më të vjetra se dy vjet, pritet që deri në vitin 2026 të mbesin të pazgjidhura rreth 10 mijë më pak se në vitin 2021, ndërsa pas pesë vjetësh mëtohet që mos të ketë as edhe një rast penal më të vjetër se dy vjet të pazgjidhur.
Ky do të jetë vetëm një hap i efikasitetit në sistemin gjyqësor e atë prokurorial, sipas Strategjisë së re për sundimin e ligjit të miratuar sot. Ky dokument si pika kryesore i ka katër.
“Fuqizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial, e dyta, fuqizimi i drejtësisë penale, e treta fuqizimi i qasjes në drejtësi dhe e katërta fuqizimi i luftës anti-korrupsion”.
Hapi më i rëndësishëm mbetet vettingu.
“Në aspektin kohor të këtij spektri, do të mundësohet që kontrolli i integritetit apo vettingu të kryhet në baza të rregullta dhe të vazhdueshme. Kështu, secili gjyqtar apo prokuror do të kalojë nëpër veting ҫdo herë pas disa viteve, dhe çdo herë që një i tillë transferohet apo avancohet në detyrë”.
Gjyqtarët e prokurorët që do t’i nënshtrohen verifikimit, mund të japin llogari edhe për mos-suksesin e luftimit të korrupsionit të profilit të lartë, për çka siç thuhet në dokument, ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Hetimi i korrupsionit të lartë do të jetë kompetencë ekskluzive e jo vetëm plotësuese e Prokurorisë Speciale.
Pa vlerësim nuk mbeten edhe policët. Përveç që edhe këta do t’i nënshtrohen një vettingu, hetuesit policor pas vitit 2022 ndryshim parësor do ta kenë deklarimin e pasurisë, përveç zyrtarëve të lartë që këtë obligim e kanë të përvitshëm. Ndryshime do të pësojë edhe Agjencia që i mbledh këto të dhëna.
“Strategjia parasheh transformimin e Agjencisë kundër Korrupsionit në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Zgjerimi i mandatit të Agjencisë në parandalimin e korrupsionit, pritet të ofrojë rezultate më afatgjate në krahasim me kufizimin e saj vetëm në luftimin e korrupsionit”.
Zyrtarët shtetëror, sipas kësaj strategjie do të duhet të paraqesin fakte më të detajuara të pasurisë, por në rast të mosdeklarimit, ndaj tyre synohet të merren vetëm masa disiplinore e kjo të konsiderohet vepër penale vetëm kur mosdeklarimi përsëritet. Ndërkaq për ata që bien ndesh me ligjet aktuale e ato të reja, gjatë 2022-ës Gjykatës së Prishtinës do t’i shtohet një degë në Fushë Kosovë, ndërsa do të zhbëhen degët e Junikut dhe Shtimes. Këto dhe ndryshimet e tjera sipas kësaj Strategjie, pritet të kushtojnë mbi 23 milionë euro.