Lajmet e fundit

Partia Socialdemokrate ka organizuar sot në Prishtinë një aksion simbolik në ditën kur në Bruksel për herë të parë u takuan kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në kuadër të procesit të dialogut.
Aktivistët e PSD-së në sheshin “Zahir Pajaziti” kanë vendosur një baner me fotografinë nga takimi i sotëm në Bruksel, krahas mbishkrimit se ky është një “lajm i rremë”, duke iu referuar kështu deklarimeve të mëhershme të Kurtit se nuk do të ketë takime pa kërkuar falje Serbia.
"Jemi këtu për ta luftuar dezinformimin. Fotoja që po e shihni këtu është montazh. Një takim i tillë nuk ka ndodhur kurrë. Një takim i tillë nuk do të ndodhë pa e njohur Serbia Republikën tonë; një takim i tillë nuk bëhet pa ardhur kërkim- falja nga Serbia, e pa u zbardhur fati i të pagjeturve".
"Kryeministri ynë ka thënë kështu, s’ka si të jetë ndryshe. Eksponentë dashakëqinj nga mediat e partitë politike po duan ta njollosin figurën kristal të kryeministrin tonë. Ata duan t’i pengojnë e t’i fshehin të arriturat tona kolosale" thuhet në një kumtesë për media nga PSD-ja, njofton Klankosova.tv.
Nga PDS-ja bëhet thirrje që kësaj fotografie nuk duhet t'i besohet.
"Qytetarë të dashur, ju duhet të keni kujdes. Bota është e mbushur plot kurthe, gënjeshtra dhe armiq. Gjërat që i shihni, nuk i shihni në tërësinë e tyre; ato që i dëgjoni nuk u’a kuptoni prapaskenat. Prandaj duhet ta ndjekim linjën: të shohim me syrin e Partisë e ta dëgjojmë fjalën e saj. Ekziston çfarë thotë Partia: dëgjoj Partinë, prandaj jam".