Lajmet e fundit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë që Qeveria e Kosovës nuk e ka marrë seriozisht çështjen e rimëkëmbjes së ekonomisë, si pasojë e pandemisë së COVID-19.
Hamza në seancën e sotme ku po diskutohet për ekonominë, ka kërkuar nga Qeveria që vaksinimi i popullatës të jetë prioritet pasi sipas tij, kjo përveç shëndetit do ndikonte edhe në rimëkëmbjen ekonomike.
"Vaksinimi i popullatës është prioritet i lartë, jo vetëm për shëndetin e qytetarëve, por edhe rimëkëmbjen ekonomike. Se gjendja ekonomike është e rëndë tregojnë edhe shumë indikatorë makroekonomik. Kemi një numër të madh të bizneseve që kanë falimentuar , mijëra punëtorë kanë humbur vendet e punës për shkak të vështirësive që kanë pasë bizneset"
Hamza ka thënë që shqetësues është edhe fakti që sipas tij, që as në programin qeveritar të paraqitur "nuk parashihet masë konkrete me burime të qëndrueshme të financimit se si do të bëhet rimëkëmbja e vendit pas pandemisë".
"Tregojuni qytetarëve, bizneseve se a do të vendosni tatime të reja, a do t’i ngrisni ato ekzistuese? Edhe nëse nuk keni zotësi për të ndërtuar një program të ri për rimëkëmbje së paku zbatojeni ligjin për rimëkëmbje. Se Qeveria e Kosovës ka marrë më së paku seriozisht çështjen e ekonomisë e dëshmon edhe aprovimi i vetëm një pakoje emergjente".
"Vendet e rajonit kanë marrë tashmë veprime për pako ekonomike. Maqedonia i ka miratuar 6 pako afërsisht 900 milionë euro përkrahje. PDK-ja kërkon që çështjen e ekonomisë ta trajtoni me seriozitet më të madh pas vaksinimit. Ne bëjmë thirrje silleni në Kuvend edhe buxhetin e rishikuar me masat si vijon: pagat e punonjësve të sektorit privat në shumë 300 euro mbështetje shtesë prej 40 milionë eurosh për bizneset që kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit".
"Të gjithë përfituesit e skemave sociale të paguhen nga 100 euro shtese për muajt qershor, korrik, gusht. Të bëhet falja e gjobave që bizneseve u janë shqiptuar gjatë pandemisë ndërsa atyre që i kanë paguar tu rimbursohen", shtoi ai.