Lajmet e fundit

Emisari i Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot u tregua nikoqir i mirë ndaj homologut amerikan, Mathew Palmer.
Nga zyrat e selisë së Bashkimit Evropian në Prishtinë, ku qëndruan për një kohë, ata, bashkë me përcjellje, shkuan këmbë në presidencë për takim me kryetaren e shtetit, Vjosa Osmani - Sadriu.
Muhabetet mes tyre mbetën krejt të shurdhëta për gazetarët, pasi gjithçka u tha brenda dyerve të mbyllura.
Mungoi edhe leja për filmime disa minutëshe, që rëndom bëhen në këso takimesh.
I dërguari i posaçëm i BE-së dhe ndihmës sekretari amerikan i shtetit e nisën vizitën e tyre unike për të treguar, siç i tha Klan Kosovës një zyrtar evropian, ringjalljen e koordinimit të plotë Bruksel-Uashington në raport me dialogun Prishtinë –Beograd.
“Mat dhe Miro” siç quhen mes vete shoqërisht dy diplomatët, besohet se nga udhëheqësit kosovarë erdhën të kërkojnë përkushtim të plotë në procesin e dialogimit me palën serbe që pritet të nis pas dy-tri javësh.
Këtu përfshihet zbatimi i ujdive të firmosura më parë në Bruksel, në radhë të parë të asaj për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Po ashtu, e rëndësisë unike është edhe porosia se duhet kuptuar përfundimisht që rol primar në udhëheqjen e dialogut kanë evropianët, por ku amerikanët përfshihen me një pjesëmarrje të quajtur “të konsiderueshme dhe kredibile”.
Për t’i marrë në konsideratë krejt këto këshilla e kërkesa të euro-amerikanëve, barra më e madhe i bie kryeministrit, Albin Kurti.
Këtij të fundit Lajçak e Palmer i shkuan në zyrë, pas bisedës me presidenten.
Në kryeministri, protokolli mediatik i ngjarjes së madhe është i njëjtë, mund të filmohet vetëm hyrja e mysafirëve.
Më të hapur me publikun, Mat dhe Miro pritet të jenë të martën, kur kanë paralajmëruar një paraqitje të shkurtë për gazetarët.