Lajmet e fundit

Ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe familjarëve të tij nuk do t'ju lejohet pajisja me vizë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak se ata janë përcaktuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si persona "non grata" dhe u ndalohet hyrja në këtë shtet..
Lajmi u konfirmua nga Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili përmes një postimi në Twitter tha se ky vendim u mor nga Uashingtoni zyrtar “për akte korruptive që cenojnë demokracinë në Shqipëri”.
Kryeredaktori i Tv Klan në Shqipëri, Fatos Hakorja, e cilëson këtë zhvillim si goditje për Partinë Demokratike në Shqipëri por njëkohësisht edhe çlirim nga ish-kryetari.
“Ky është një akt i paprecedent dhe një akt i parë në historinë e Shqipërisë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallin “non grata” një ish-president dhe ish-kryeministër deri tani kemi parë disa nivele tjera – por jo nivel kaq të lartë duke prekur kupolën e qeverisë dhe shtetit”.
“E gjithë kjo vjen një goditje për PD-në për shkak se Sali Berisha ka qenë një faktor dhe lider historik i saj, themelues i saj dhe një njeri që vazhdon te ketë ndikim e tij specifik në atë forcë politike.”.
“Në anën tjetër mendoj se kjo ngjarje do ta çliroj PD-në nga figurat e vjetra të saj që mbase e kanë dëmtuar më vonë. Sa që është goditje aq është edhe çlirim për të pasur në krye të partisë një kryetar që është çliruar nga një ish-kryetari”.
Hakorja thotë se në deklaratën e Blinken mund të përfshihen edhe aleatët politik që pati Berisha gjatë dy mandateve sa qeverisi vendin.
“Në deklaratën e Antony Blinken është edhe një paralajmërim që Berisha është përfshirë në veprime korruptive dhe ka përdorur pushtetin e tij për përfitime personale dhe për të pasuruar jo vetëm familjarët e tij por edhe aleatët e tij politikë. Se kush janë këta aleatë politik ne nuk e dimë por kjo deklaratë na bën të mendojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të kenë vendime të ngjashme për aleatë të Sali Berishës në kohën kur ai drejtoni vendin në dy mandate nga viti 2005 deri më 2013”, tha Hakorja.
Hakorja mes tjerash bëri të ditur se edhe për ish-zyrtarë tjerë që janë shpallur persona “nongrata” nuk është dhënë arsyeja e saktë se për cilat raste bëhet fjalë.