Lajmet e fundit

Disa mysafirë jo të thjeshtë do ta vizitojnë Manastirin e Deçanit, në një të ardhme të afërt.
Bëhet fjalë për një ekip ekspertësh të trashëgimisë kulturore të organizatës "Europa Nostra", që do të shohin nëse ia kanë qëlluar kur kanë konstatuar se ky objekt ortodoks është një nga shtatë monumentet më të rrezikuara në Evropë.
Pa u analizuar situata nga afër, në raportin e fundit të kësaj organizate thuhet se manastiri i udhëhequr nga klerikët serbë është sulmuar pesë herë që nga paslufta, ndërsa përmenden edhe shqetësime infrastrukturore afër objektit, njofton Klan Kosova
Ardhjen në Kosovë, pas reagimeve e ftesave të udhëheqësve nga Prishtina, e konfirmuan për Klan Kosova, vetë Europa Nostra. Veçse këta po presin përgjigje edhe për takime virtuale me krerët e institucioneve kosovare.
"Një delegacion i përbërë nga ekspertët e Europa Nostras dhe partnerit tonë, Institutit të Bankës Evropiane për Investime, planifikon ta bëjë një vizitë në Kosovë sapo situata epidemiologjike ta lejojë atë. Ndërkohë, ne kemi filluar një seri takimesh virtuale me të gjitha organizatat përkatëse. Në letrën tonë të 19 prillit, ne u kemi kërkuar takim online edhe presidentes dhe kryeministrit të Kosovës. Jemi duke e pritur përgjigjen e tyre", thuhet në përgjigjen e sekretariatit të Europa Nostras.
Presidenca dhe Zyra e Kryeminsitrit nuk e konfirmuan nëse përfaqësuesit shtetërorë do të marrin pjesë në këto takime online.
Ndërkaq ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, konsideron se kjo vizitë mund të realizohet edhe tash. Ndërsa shton se federata paneuropiane do të bindet, posa ta shohë gjendjen reale.
Rol të madh në listimin e manastirit në këtë raport ka luajtur fushata e igumenit Sava Janjiq.
Sipas arkeologut Arben Hajdari, pretendimet serbe se objektet fetare janë në rrezik, synimin e kanë te marrëveshja finale Prishtinë-Beograd, që kishat ortodokse të fitojnë status special.
Manastiri i Deçanit është monumenti i vetëm në Evropë që mbrohet ushtarakisht qe 20 vjet. Ky gjendet në zonën e veçantë, të mbrojtur me ligjet e Kosovës, teksa forcat e KFOR-it janë prezente non-stop.