Lajmet e fundit

Sot kanë rifilluar gërmimet në Kizhevak të Serbisë për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu në Info Magazine deklaroi se janë do të punojnë gjashtë ditë në jave dhe punimet pritet të zgjasin për dy javë, njofton Klan Kosova.
Gërxhaliu tha se e gjithë puna do të përcillet nga ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës teksa theksoi se në fund të vitit të kaluar janë kryer gërmime në këtë pjesë, derisa në afërsi të Rashkës në qytetin e Kizhevakut ku ishin gjetur mbetjet mortore të 15-17 trupave.
“Sot ka ndodhur dekonzervimi i vendit dhe sot janë hequr pesë shtresat e kozervimit që i kemi bërë në dhjetor ndërsa nesër do të fillohet me tërheqjen e eshtrave".
"Dihet mirë që mbetjet kockore që do i gjejmë këtu i takojnë Rezallës pasi i kemi bërë analizat e ADN-së dhe përputhen me dyshimet të cilat i kemi pasur se i takojnë regjionit të Rezallës sepse lidhen me regjionin e Rudnicës të cilin e kemi kryer në vitin 2015".
“Do të punohet gjashtë ditë në javë për dy javë. Do të pushojmë vetëm të dielën ku do të bëhet ndërrimi i ekipit. Varësisht nga puna punimet edhe mund të zgjaten pak”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu mes tjerash bëri të ditur se janë duke punuar në vende njëkohësisht - një terren ku bëhet tërheqja nga vendi ku kanë gjuajtur gurë dhe tek antropologjia ku merren dhe dërgohen mostrat për analiza që të identifikohen viktimat dhe të transportohen për Kosovë.
Tutje Drejtori i IML-së tha se terreni është i thatë dhe moti është i vranët - janë kushtet ideale për të punuar teksa tregoi se për çfarë kanë nevojë më së shumti.
"Problemi kyç është mungesa e informacionit ka pesë vite që kontrollojmë mes Rashkës dhe Novi Pazarit dhe në vendet që na tregon dëshmitari nuk kemi gjetur kërkojmë imazhet satelitore sikur në Kizhevak pasi terreni ka ndryshuar e njësoj edhe reliefi e për këtë punë do na kryenin vetëm imazhet satelitore" tha Gërxhaliu.