Lajmet e fundit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, akuzoi qeverinë për keqmenaxhim të situatës së pandemisë.
Gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ai e quajti udhëheqjen aktuale të shtetit si ‘Qeveri të sëmurë për pushtet’, e cila sipas tij është përgjegjesë për numrin e infeksioneve dhe vdekjeve nga COVID-19 për shkak të masave të tyre, siç i quajti, të kota.
“Po përjetojmë epokën e qeverisjes Koti. Mbi 12.000 raste aktive në Kosovë, mbi 1.000 të vdekur dhe tash e disa javë kemi të njëjtat masa të kësaj Qeverie. Për një qeveri të sëmurë për pushtet, numri i të infektuarve dhe vdekjeve është vetëm një justifikim për të shtyrë zgjedhjet”.
“Suksesi më i madh i kësaj qeverie është futja në zona të kuqe të dhjetëra komunave. Kështu e largojnë përgjegjësinë dhe mendojnë se kanë kryer punë. Aq keq është situata saqë oksigjeni është bëre luks në spitalet rajonale”.
“Ju i detyroni pacientët ta blejnë vet edhe oksigjenin. Numrat e personave të infektuar janë rezultat direkt i masave të kota. Keni dështuar. Do të merr fund pandemia dhe ju nuk e përuroni spitalin antiCOVID, e guxoni të na flisni për vaksinën kundër COVID kur s’keni as plan si ta siguroni atë”.
“E keni rrënuar ekonominë. Masa më e mirë që mund të ndërmerrni është padyshim dorëheqja juaj”, tha Uka.