Lajmet e fundit

Faqja e Trustit gjatë së premtes ra disa herë nga sistemi, për shkak të mbingarkesës. Me gjasë, shumë kosovarë tentuan të kuptojnë sa para kanë të tubuara në kursimet e veta dhe sa mund të tërheqin nga aty.
Trusti, që tubon kursimet obligative të kosovarëve për pension, përfaqëson pikën kryesore të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, që pas shumë tentimeve u miratua në Kuvend.
Ky dokument juridik ua mundëson qytetarëve të marrin 10 për qind të shumës së tubuar nga kontributet. Ndërsa ata që i kanë më pak se 10 mijë euro kursime, do të rimbursohen nga shteti.
Në total janë rreth 200 milionë euro që kosovarët mund t’i tërheqin falë ligjit për rimëkëmbje. Këto para kesh që marrin qytetarët, pritet t’i sjellin shtetit fitim në të hyra rreth 9 milionë euro, pasi të jenë shfrytëzuar në treg.
Ndihma për sektorin privat
I gjithë ligji kap vlerën rreth 600 milionë euro. Një e treta e tij do t’i ndahet bizneseve, kurse mbi 20 milionë shkojnë tek ata që e kanë humbur punën për shkak të pandemisë.
Një fond i veçantë do të ndahet për bujqësi. Ndërsa, përveç investimeve direkte, sektori privat pritet të ndihmohet edhe me lehtësime fiskale.
“Ulja e TVSH-së për gastronominë në 8% dhe Fondi Kreditor Garantues për mbulimin deri në 80% të kolateralit që marrin bizneset private”, shpjegoi kryeministri, Avdullah Hoti, në një konferencë për gazetarë, pas miratimit të nismës ligjore.
Për më tepër, bizneseve mund t’u shtyhet për dy vjet afati i pagesës së tatimeve. Kurse, ata që prodhojnë lëndë të parë në Kosovë, lirohen tërësisht nga TVSH-ja.
Përmes këtyre politikave direkte dhe indirekte, kryeministri Hoti konsideron se ligji arrin efekt njëmiliardësh.
Kur hyn në fuqi?
Ligji për Rimëkëmbje lidhet ngushtë me buxhetin e ardhshëm dhe skadon më 31 dhjetor 2021.
Për të hyrë ai në fuqi, nevojitet nënshkrimi apo heshtja e Vjosa Osmanit si ushtruese e detyrës së presidentes, kurse mund të zbatohet 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.