Lajmet e fundit

Personi që u arrestua pas një aksioni të policisë gjatë orëve të vona të martën, del të jetë një zyrtar i Thesarit në Ministrinë e Financave.
Labinot Gruda dyshohet se keqpërdori detyrën apo autoritetin zyrtar duke i transferuar mbi dy milionë euro në kompaninë private, LDA Group Sh.P.K më 9 tetor të këtij viti, për veprën e të cilit ministria u njoftua këtë të martë, në mbrëmjen e së cilës u arrestua Gruda në banesën e tij në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Megjithëse llogaritë bankare ku shkuan të hollat e buxhetit të shtetit, sipas policisë tashmë janë bllokuar.
“Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë, pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.” – thuhet ndër të tjera në raportin e policisë.
Për të sqaruar keqpërdorimin për të cilin dyshohet zyrtari i ministrisë që ajo e drejton, doli në konferencë të jashtëzakonshme edhe Hykmete Bajrami.Ministrja e Financave tha se bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta të cilat kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit ë Kosovës, por që sipas saj rasti është i izoluar dhe se të hollat e shtetit janë në duar të sigurta.
Përveç zyrtarit të Ministrisë së Financave, policia është në kërkim edhe të dy të dyshuarve tjerë, pronarët e LDA Group, të cilët janë arratisur.
Klan Kosova vizitoi edhe shtëpinë e Valon dhe Kadri Shalës në Llapushnik, por sipas familjarëve të tyre, të njëjtit nuk ndodhen në shtëpi e as nuk u dihet vendndodhja.
Ata konfirmuan se në rrugën” Osman Krasniqi” në Llapushnik nuk ka ndonjë biznes ashtu siç të njëjtit e kanë regjistruar në ARBK.