Lajmet e fundit

Në rrjete sociale qytetarët e vendit kanë filluar të tregojnë kreativitetin e tyre duke bërë shaka me vlerën e taksës së gjelbër, të përmendur nga nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.
Sipas tyre, 10 euro taksë për të hyrë në Prishtinë janë shumë, andaj edhe pakënaqësitë e mospajtimin për këtë taksë e kanë shprehur në mënyra të ndryshme me anë të postimeve e fotografive të postuara në Facebook e Instagram.
Disa prej tyre kërkojnë që kartëmonedhat euro të kenë në to figurën e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. Të tjerë kërkojnë që në vend të shtatores së ish presidentit amerikan, Bill Clinton, të vendoset ajo e të parit të kryeqytetit, Shpend Ahmeti.
Ndërsa, disa nga qytetarët kërkojnë që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, të lutet që jo prishtinasit të hyjnë në Prishtinë pa pagesë.
Në kronikën e realizuar janë përfshirë shumë nga këto reagime të qytetarëve të vendit, të cilët shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj taksës së gjelbër të përmendur nga nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli.