Lajmet e fundit

Arkitekti, Arbër Sadiki, e ka kritikuar Bashkësinë Islame dhe institucionet tona kompetente për gjithë mbarëvajtjen e procesit të xhamisë së Prishtinës.
Siç u shpreh ai në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Bashkësia Islame po e humbet një mundësi të artë që t’ia dhurojë Prishtinës një ndërtesë bashkëkohore.
“Institucionet përkatëse për planifikimin e hapësirës janë treguar të papërgjegjshëm në këtë proces, dhe i është dhënë mundësia që procesi të devijojë dhe të vijnë në një rezultat që po e shohim sot”.
“Unë e kam përcjellë këtë çështje prej vitit 2011 kur është ndarë parcela. E kemi konsideruar që parcela e ndarë nuk i bën mirë Bashkësisë Islame dhe ndërtesës, se i bëjnë rezistencë ndërtesat e larta aty afër, si p.sh, posta”.
“Ndërtesat e tilla janë të tilla çdokund nëpër botë. Nuk e ka pasur lokacionin e duhur. Kam mbetur i zhgënjyer me myftiun, i cili në vend të rezistojë, ai ka këmbëngulur që ta marr parcelën”.
“Para se me e pru një vendim të tillë është dashur të hapet një debat. Tash ka kaluar dhe kanë filluar edhe protestat sepse ka munguar debati para se të vie vendimi”.
“I kemi dhënë ekspertizën tonë profesionale për me e gjet një parcelë tjetër”.
“Nuk është sjellë shoqëria si duhet. Institucionet kompetente për menaxhimin e hapësirës nuk janë sjellë korrekt me bashkësinë islame. Edhe kur është ndarë sipërfaqja, ka ndodhur disa ditë para Bajramit. Gjithmonë është bërë një politikë prej institucioneve sikur ‘ne i zgjidhëm një problem komunitetit islam”.
“Sipas meje, do kemi një ndërtese që është e penalizuar në terma urbanë”.
“Qe 10 vjet kam harxhuar energji në këtë çështje. Puna është se ne po humbim një rast për ta krijuar një identitet tonin kulturor”.
“Askush nuk po i zbeh vlerat e arkitektit Sinan, por ne kështu nuk i nderojmë vlerat e tij dhe e bëjmë veprën si qysh e ka bërë ai para 500 vjetëve. Në këtë variant sot aspak nuk e nderojmë frymën e Sinanit, por e nderojmë nëse e bëjmë një vepër origjinale arkitekturore”.
“Ka pasur shumë arkitektë të njohur që kanë konkurruar për xhaminë. Nuk është kjo punë veç politike, por mungesë sinqeriteti. Edhe donator edhe imponues nuk mund të jesh”.
“Meraku im është që Bashkësia Islame po e humbet një mundësi të artë që t’ia dhurojë Prishtinës një ndërtesë bashkëkohore”.
“Kishte me qenë më mirë t’i dëgjonin ekspertë të fushës së arkitekturës. Të jeni të sigurt që pas 20 vjetëve fëmijët tanë nuk do ta nderojnë një arkitekturë të tillë. Është komplet e tejkaluar në aspektin kulturor”, u shpreh arkitekti Sadiki.