Lajmet e fundit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bëri të ditur se për 20 personat që sot dolën pozitiv me koronavirus në Prishtinë, autoritetet e dinë saktë se ku janë infektuar.
Sipas tij, ky është një lajm i mirë pasi që nesër do t’i testojnë mbi 40 persona që kanë pasur kontakt me të infektuarit, në mënyrë që ta parandalojnë përhapjen e mëtutjeshme.
“Arsye për panik nuk ka, megjithatë arsye për të mos u relaksuar ka tepër shumë”.
“Infektimet që i keni marr sot si pozitive janë për shkak se personat që nuk kanë pasur nevojë të dalin, kane dalë prej shtëpisë. Në këtë fazë është e domosdoshme të qëndrohet në shtëpi për ta parandaluar një shpërthim të jashtëzakonshëm në Prishtinë, që këtë nuk do ta lejojmë”, u shpreh ai me anë të lidhjes live nga llogaria e tij në Facebook.
Ahmeti po ashtu bëri të ditur se Prishtina prej sonte është në karantinë dhe se do të ketë kontrolle policore në hyrje-daljet në territorin e Komunës së Prishtinës.
Megjithatë ai bëri të ditur se të gjithë ata banorë që janë të Prishtinës por që sonte janë jashtë kryeqytetit, nesër mund të rikthehen deri në ora 17:00, në qoftë se dëshmojnë se janë banorë të Prishtinës, dhe të gjithë ata banorë që janë nga komunat tjera do të lejohen që deri nesër në ora 17:00 të dalin nga kryeqyteti dhe të rikthehen në komunat e tyre përkatëse.
"Ministria e tregtisë është duke punuar në një listë të bizneseve që janë të lejuar të qarkullojnë edhe gjate kësaj karantine, si p.sh. furra, ata që merren me furnizime, marketet, etj. Nesër do ta keni listën e të gjitha kodeve për secilin biznes që është i lejuar të funksionojë dhe punëtorët e këtyre bizneseve".
"Ata që punojnë në Prishtinë dhe janë nga komuna t tjera, është mirë që të presin vendimin e Ministrisë së Tregtisë që të tregojnë se cilat kode janë të lejuara me leje të posaçme".
"Prej të hënës e tutje presim që do të ketë masa të tjera restriktive për gjithë qytetarët e Kosovës. Edhe nesër deri në ora 17:00 qytetarët mund të dalin, ata që kanë nevojë, por jo shëtitje, jo dalje në Badoc e parqe ose shëtitje me fëmijë".