Lajmet e fundit

Ministri në ikje i financave, Bedri Hamza, e ka cilësuar si vit të frytshëm atë që e lamë pas në aspektin ekonomik, edhe pse sipas tij kanë pasur sfida.
Hamza, që njëkohësisht është edhe shef i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, në emisionin Zona B në Klan Kosova ka folur edhe për vështirësitë nëpër të cilat po kalon shteti momentalisht për shkak të mos krijimit të qeverisë dhe ka treguar se cilat janë variantet me anë të të cilëve mund të ecet përpara deri ne një kohe të caktuar dhe qytetarët të mos mbesin pa paga.
“Performanca ekonomike dhe fiskale, si është mbyllur viti? – Ka qenë vit sfidues. Mirëpo kemi pasur një performancë të mirë të të hyrave. Si në doganë si në ATK. Dhe na ka mundësuar t’i kryejmë të gjitha obligimet me kohë, si në paga dhe në pagesa të tjera”.
“Kosova viteve të fundit e ka mbyllur vitin me një bilanc bankar që është shumë më i lartë se në vitet paraprake. Viti fiskal përfundoi me 459 milionë euro, ndërsa më 2016 bilanci bankar ishte 271 milionë”.
Ai foli edhe në lidhje me faktin se edhe pse tatimet nuk janë rritur, sërish buxheti është rritur.
“Bartësi i rritjes se zhvillimit ekonomik është sektori privat. Për këtë sektor do të flasim me respekt dhe jo me përbuzje. Vetëm kur bizneset private rriten e zhvillohen, atëherë do të ketë mundësi me u rrit edhe buxheti i shtetit.”
“Unë vet kam punuar një kohë të gjatë në biznesin privat dhe e di se sa është vështire të udhëhiqet. Ata krijojnë të ardhura jo vetëm për veten, por edhe për dhjetëra, qindra e madje edhe mijëra familje të tjera. I paguajnë shtetit tatime dhe e mbushin arkën e shtetit. Dhe buxheti i shtetit duhet të rritet përmes rritjes ekonomike, përmes zhvillimit ekonomik”.
“Gjatë mandatit të kaluar s’ka pasur asnjë taksë e re, asnjë lloj i ri i tatimit, përkundrazi kemi pasur lirime – edhe për prodhues, edhe për lëndë të parë, edhe për makineritë dhe shumë lirime të tjera që kanë pasur efekt dhe ndikim në buxhetin e Kosovës. Dëshiroj ta shpreh respektin maksimal për menaxhmentin dhe stafin e këtij sektori. Ne si shtet kemi nevojë që të vazhdojmë me këto reforma”.
Hamza shprehu pesimizëm nga këndvështrimi i tij në lidhje me dëmet që sipas tij tashmë i janë bërë shtetit dhe tregoi se çka do të ndodhë nëse s’ka qeveri deri në fund të janarit ose deri në mesin e shkurtit
“Dëmi veçse është bërë. Tash varet se a po ndalet me kaq apo shkon duke u zmadhuar. 38 komuna e kanë aprovuar buxhetin e tyre. Organizatat buxhetore duhet me e prit aprovimin e buxhetit dhe me e mundshmja do të jetë muaji mars, atëherë prilli, maji, qershori sigurisht se duhet me ndodh prokurimi. Kjo do të ndikojë direkt edhe në rritjen ekonomike por edhe në afarizmin e kompanive. Ky dëm veçse ka ndodh”.
https://www.facebook.com/KlanKosovaOfficial1/videos/3328327953907936/?eid=ARCUNhjRVXIw0b6ft2mwo-dsvqiDk9NzQF9dQ1fbyJ6SuSnwncGvbi5v0qHBkrIwIPE60h4dP6f3BWzz
“Tani kemi një problem: A do ta bëjnë buxhetin për 12 ministri apo 14, apo 21? Ata duhet të sqarojnë para zgjedhësve të vetë, sepse LDK premtonte rritje prej 200 milionë, premtojnë shtesa të fëmijëve, fonde sovrane e çka t’u teket premtojnë, por do ta shohim se si do t’i realizojnë!”
“E para, ata kanë nevojë të dinë organogramin e qeverisë. Nuk mundesh ti me ide puro populliste me e dëmtu funksionalitetin e diçkaje. Këta kanë shkuar në numër 12 të ministrive dhe është parë që po i i bie ngushtë. Është një kursim, por është më tepër populliste, sepse pjesa e madhe e stafit, e shërbyesve civilë mbetet aty, por këtu flet për më pak ministra e këshilltarë të ministrave dhe prapë po e them që kurrë s’jam pajtuar me madhësinë e qeverisë që ka qenë, mirëpo nuk guxon me e dëmtuar funksionalitetin e diçkaje për shkak se kushton pak”.
“Varianti më i padëshiruar nëse nuk bëhet qeveria është ky: atëherë Kuvendi ka të drejtë ta bëjë sponsorizimin e ligjeve, përkatësisht grupi i deputetëve ose një komision funksional. Komisionet nuk janë themeluar, edhe kjo çështje i ka disa dilema. Në rregulloren e Kuvendit janë të emërtuara se cilat janë komisionet”.
“Të themi se një komision po u autorizuaka që me e bë një buxhet sa për ta kaluar ngërçin edhe nëse vjen situata që mos me mbet pa paga, por kush do t’i ekzekutojë ato projekte kapitale, kush do t’i nënshkruajë? Pra është çështje serioze”
“Ky është pozicioni më i padëshiruar. Nuk do të jetë buxheti qe do t’i plotësojë standardet dhe kriteret”, ka deklaruar Hamza.