Lajmet e fundit

Pasi LDK-ja përfundoi Kuvendin e Punës me dyer të mbyllura, kjo parti ka mbajtur konferencë për media, ku kanë folur rreth punës së tyre katërvjeçare dhe si është vlerësuar shpenzimi i buxhetit nga ana e tyre.
I pari i kësaj partie, Isa Mustafa, tha se “Kuvendi në mënyrë unanime e ka votuar dhe përkrahur raportin e punës dhe atë financiar dhe e ka vlerësuar punën që e ka bërë LDK-ja gjatë kësaj periudhe”.
“Ne jemi të lumtur dhe krenohemi që jemi parti që e kemi grupin më të madh në Kuvend dhe numrin më të madh të komunave që qeverisin me kryetarët korrekt dhe po ashtu jemi parti e cila në të gjitha matjet e opinionit publik prin me rezultate, pra ka përkrahjen e të gjithë qytetarëve”.
“Për neve është kënaqësi dhe përgjegjësi, sepse kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve si parti më e madhe në Kosovë dhe ta vazhdojmë ta mbajmë frymën rugoviane të LDK-së”.
“Kuvendi ka vlerësuar lartë punën e kryesisë së LDK-se, Këshillit të Përgjithshëm, degëve, forumit të gruas, rinisë, fondacionit Ibrahim Rugova dhe veçmas punën e kryetarëve të komunave”.
“Ka vlerësuar edhe punën e qeverisë të vitit 2014 deri më 2017, që kemi bërë marrëveshje të rëndësishme, ka thelluar dhe forcuar raportet me partneret tanë të BE-së, me SHBA-të dhe ka arritur shumë rezultate që i kemi thënë edhe më përpara, në të gjitha fushat. Krenohemi me atë punë që e kemi bërë”.
“Alternativa qeverisëse e atyre që janë bërë bashkë për ta rrezuar LDK-në, është alternative që e ka bllokuar Kosovën, e ka rritur korrupsionin, i ka rrezikuar marrëdhëniet me SHBA-të, etj. Ndërkaq, tash shtetet e BE-së po thonë që kanë probleme me korrupsionin, dhe kjo është si vërejtje për liberalizim të vizave edhe pse e kemi nënshkruar marrëveshjen për demarkacion, tash po del kjo”.
Mustafa është deklaruar edhe në lidhje me ngjarjet e ditëve të fundit në vend, gjegjësisht me publikimin e fotografisë nga deputetja Flora Brovina, që pretendohej se ishte skena e dhunimit të një gruaje shqiptare nga forcat serbe.
“Është për keqardhje një sjellje e tille ne kuvend edhe plasimi i fotove te tilla se e prekin thellë dinjitetin edhe të grave por edhe të gjithë atyre që kanë pasur probleme me forcat paramilitare dhe forcat tjera serbe në Kosovë”.
“Se ka ekzistuar dhunimi është çështje e qartë, e ditur. Se ka ekzistuar agresioni dhe gjenocidi serb po ashtu është e ditur, por konsideroj se të gjitha këto duhet të jenë çështje të drejtësisë, e gjyqësisë dhe që në këto procedurat të përfundojnë. Për neve është e papranueshme plasimi i një fotografie të tillë pa e ditur burimin dhe saktësinë e fotografisë, mirëpo po ashtu nuk e shoh në këtë rast përgjegjëse vetëm zonja Brovina për këtë situatë”.
“Unë shprehi keqardhje që asaj i ka ndodhur kjo, sepse është një grua e cila në një formë e ka një histori të saj të angazhimit për të drejtat e grave dhe për të drejtat e njeriut, por është problemi te politikat e PAN-it, d.m.th atyre që sot janë në pushtet, edhe të PDK-së edhe të subjekteve tjera që tash duan me çdo kusht ta mbajnë pushtetin duke prodhuar skandale dh e situata në mënyrë që përmes tyre ta mbulojnë atë çfarë sot po mungon në Kosovë, pra mungon një qeverisje e drejtë dhe zgjidhja e problemeve të qytetarëve dhe korrupsioni i lartë”.
“Sa i përket zonjë Saraçi, ajo e ka dhënë deklaratë të saj, kjo mbetet çështje e drejtësisë qe këtë ta zgjidh por nuk është mire që për shkak te nevojave politike ne të gjejmë mbulesë me këto çështje dhe ta hidhërojmë opinionin tonë. Kjo s’iu nevojitet as grave që kanë pasur probleme me dhunime, e që statistikat tregojnë se janë rreth 20 mijë, as burrave dhe as mediave që t’i plasojnë para opinionit sepse preket dinjiteti i çdo familje dhe dinjitetin tonë shtetëror”.
Mustafa tregoi se do të vazhdojë ende përpjekjet për ta rrëzuar qeverinë:
“Ne do të vazhdojmë, do të ftojmë edhe Vetëvendosjen edhe PSD-në që t’i bëjmë bashkërisht nënshkrimet dhe tekstin e mocionit dhe do të presim që të ftojmë edhe dikë nga partitë e koalicionit që kjo qeveri të bije shpejt”.
“Kemi biseda me VV dhe si LDK jemi në gjendje që nënshkrimet tona t’i japim nga sot. Jam në koordinim edhe me Kurtin”.
“T’ia thyejmë këmbët kësaj qeverisjeje se është e padobishme për Kosovën”, përfundoi Mustafa.