Lajmet e fundit

Mbase Britania duket se do të zgjasë qëndrimin e saj në Bashkimin Evropian, pasaportat britanike nuk kanë ndjekur të njëjtën rrugë.
Pasaportat e reja në Mbretërinë e Bashkuar janë lëshuar pa fjalët "Bashkimi Evropian" në kapakun e përparmë edhe pse zyrtarisht procesi i shkëputjes së Mbretërisë së Bashkuar nga unioni është shtyrë.
Pasaportat e reja ngjyrë vishnje janë prezantuar prej 30 marsit, dita që supozohej të ishte e para e Britanisë së Madhe jashtë BE-së, pavarësisht se disa njerëz mund të pajisen ende me versionin e vjetër, që ka mbetur ende stok, njofton Klan Kosova.
Ndërkohë, pasaportat në ngjyrë blu të errët, që i ngjasojnë dizajnit përpara se Britania të bëhej pjesë e BE-së, pritet të lëshohen nga fundi i vitit. Vendimi për të hequr togfjalëshin “Bashkimi Europian” nga pasaportat u bë me mendimin se Britania do të largohej nga BE-ja në fund të muajit mars, siç ishte programuar.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme (Home Office) tha se “në mënyrë që të shfrytëzojmë edhe stokun e mbetur dhe të vlerësojmë maksimalisht taksapaguesit”, pasaportat e vjetra me togfjalëshin “Bashkimi Europian” do të vazhdojnë të lëshohen edhe për një “periudhë të shkurtër”.
Megjithatë, ajo u kujdes të theksonte se nuk do të kishte asnjë dallim mes një shtetasi britanik që përdor pasaportën me “Bashkimi Europian” në krye, apo pa të. “Që të dyja dizajnet do të jenë të barazvlefshme për udhëtime”, tha ajo.
Britania pritej të largohej nga BE më 29 mars.
Mbretëria e Bashkuar aktualisht është planifikuar të largohet më 12 prill, pasi një zgjatje e parë është dhënë tashmë.