Lajmet e fundit

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi mund të gjykohen në liri me kusht në Kroaci, Slloveni e Austri.
Këtë informatë e ka veç ish komandanti i UÇK-së, Hisen Berisha, i cili të njëjtat i ka siguruar nga kontaktet e tij brenda kabineteve zyrtare shtetërore në tre shtetet.
Berisha, për Klan Kosova thotë se këto shtete janë të gatshme plotësisht të ofrojnë garanci që të akuzuarit e Hagës të mbrohen në liri.
Ai kërkon që tashti zyrtarisht të nisin procedurat nga institucionet shtetërore.
Se zyrtarisht duhet të bëhet kjo kërkesë, e thonë edhe nga mbrojtja e të akuzuarve, të cilët nuk kanë asnjë informatë rreth pretendimeve të Berishës.
Mentor Beqiri, që është pjesë e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, thotë që mundësia për t’u mbrojtur në liri me kusht në një shtet të tretë ekziston në Rregulloren e Gjykatës Speciale.
Klani u ka shkruar ambasadës kosovare në Kroaci, Austri e Slloveni, por gjatë ditës nuk ka marr ndonjë përgjigje. Derisa, përgjigje nuk kanë kthyer as nga Presidenca e as Ekzekutivi në Kosovë. Porse, qëndrimin e Hisen Berishës e ka cilësuar të rremë këshilltari për media i Kryeparlamentarit Glauk Konjufca - Feim Tahirsyla.
Ndërkohë, Klan Kosova brenda zyrës së Presidentit Ilir Meta ka kuptuar se as shteti shqiptar nuk ka iniciuar diçka të tillë.