Lajmet e fundit

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, në kuadër të takimeve që po mban në të gjitha rajonet e Kosovës, të mërkurën mbajti takimin përmbyllës me anëtarët e forumeve lokale të sigurisë së rajonit të Prishtinës, njofton Klan Kosova.
Ne këtë takim Hyseni tha që për dallim prej viteve të kaluara, ku temë e diskutimeve ka qenë ekstremizmi dhe radikalizmi, në këtë vit është zgjeruar spektri i temave. Sivjet janë shtuar edhe trajtimi i trafikimit me qenie njerëzore si dhe përdorimi i narkotikëve.
Sipas tij, qëllimi i këtyre takimeve është parandalimi i këtyre dukurive negative në shoqëri. Por derisa Kosova ka shënuar sukses në luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit, ai deklaroi se ka ngecur ta luftojë trafikimin me qenie njerëzore dhe me narkotikë.
Sipas raportit të departamentit amerikan, Kosova vazhdon të jetë në vendin e njëjtë në listën e trafikimit me qenie njerëzore, pra nuk ka shënuar progres.
Hyseni tha që luftimi i këtyre dukurive bëhet vetëm duke bashkëpunuar dhe angazhuar secili qytetar.