Lajmet e fundit

Ish Presidenti amerikan, Bill Clinton, ka folur rreth asaj se pse gruaja e tij dhe “mikja e tij e ngushtë”, Hillary, duhet ta udhëheqë kombin.
Gjatë konventës së Demokratëve në Filadelfia ai tha se ajo ishte “gruaja me guximin më të madh për ndryshime që ai ka njohur”, transmeton Klan Kosova.
Gjatë fjalimit të tij shumë personal, Bill foli ngrohtësisht për mënyrën se si ata u takuan dhe për përkushtimin e saj ndaj shërbimit publik. Disa orë më parë, bashkëshortja e tij u bë gruaja e parë që u nominua zyrtarisht për presidente nga ndonjë parti e madhe amerikane.
Hillary Clinton e përmbylli natën me një video mesazh, duke thënë: “Nuk më besohet që sapo e vendosëm të çarën më të madhe në atë tavan qelqi”.
“Dhe në qoftë se në këto momente ka vajza të vogla që kanë ndenjur vonë për të na shikuar, më lejoni që t’i them një gjë: ‘Unë mund të bëhem presidente e parë grua, por njëra prej jush është pasuese”.
Më parë, Bill e kishte rrëfyer edhe historinë se si ai dhe gruaja e tij u takuan në fakultetin e drejtësisë në pranverën e vitit 1971.
“U martova me miken time të ngushtë”, tha ai. “Që nga atëherë ne kemi ecur, folur dhe qeshur së bashku”.
Të martën mbrëma Bill Clinton u përpoq t’i përmbushë dy gjëra. Ai ndau histori personale për ta pikturuar një portret të gruas, e cila ka qenë në sytë e publikut për një kohë aq të gjatë. Ai po ashtu deshi ta pozicionojë Hillary-n si një kampione në fuqi të ndryshimeve që shumë amerikanë i dëshirojnë.