Lajmet e fundit

REAGIM
Klan Kosova është befasuar sot kur ka pranuar një "sqarim" të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në lidhje me faktet e ngritura dje, në emisionin Info Magazine, për vjedhje të pronësisë intelektuale të Klan Kosovës.
Në këtë sqarim, AGK akuzon televizionin se nuk ka i ka publikuar përgjigjet në pyetjet që i ishin bërë, në lidhje me këtë çështje (në “sqarim” përmendet termi i rëndë “censurim”).
Klan Kosova konstaton se kjo nuk është aspak e vërtetë, për të mos thënë se është gënjeshtër e qëllimtë.
Televizioni, kur ka diskutuar për plagjiaturën që i është bërë tekstit "30 bukuritë e Kosovës Perëndimore që të lënë pa frymë”, nga teksti i Gazetës Fjala, "Bjeshkët që flasin", gjithashtu i ka lexuar edhe përgjigjet e AGK-së.
Kjo mund të dëshmohet nga kjo video, pas minutës 4:30:
Klan Kosova shpreh keqardhje që AGK mbron plagjiaturën, por nuk shpreh keqardhje pse ka pranuar ta shpallë si shkrimin më të mirë një tekst që ka rreshta të tërë të kopjuar nga një shkrim i gazetarit tonë Liridon Zeqiri.
Është për t'u shqetësuar kur sheh që në këtë “sqarim" thuhet se "AGK-ja nuk është institucion adekuat për t’i vlerësuar pretendimet e ngritura nga ana juaj...".
Nëse nuk është për këtë punë, atëherë për çfarë tjetër ekziston ky Asociacion?
Kur vetë AGK nuk e mbron punën e një gazetari, atëherë si mund të pritet që tjerët ta bëjnë një gjë të tillë?
Si është e mundshme që AGK të jetë kaq indiferente dhe t'i mos i bëjnë përshtypje faktet e qarta të plagjiaturës për të inicuar ndërmarrjen e masave?
Në bazë të kësaj përgjigjeje, Klan Kosova nuk pret që Bordi i Asociacionit t'i kërkojë falje për atë që ka bërë, por beson se të paktën do të shprehë keqardhje për dështimin e mbrojtjes së punës profesionale së një gazetari, si dhe mbështetjen e palogjikshme të një tjetri që bën plagjiaturë.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë Klan Kosova do t’i shqyrtojë mundësitë e ngrirjes ose shkëputjes së raporteve me AGK-në.
Klan Kosova
= = =
P.S.
Ky është reagimi i AGK-së, i cili u është dërguar mediave kosovare:
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dëshiron të sqarojë opinionin publik si dhe të gjithë kolegët gazetarë për një pretendim të ngritur nga Televizioni KlanKosova, për shpërblimin e një storie që përmban elemente të plagjiaturës.
Gjatë ditës së hënë; 28.06.2016, AGK-ja ka pranuar disa pyetje nga Televizioni KlanKosova në email-in zyrtar. Në këto pyetje AGK-ja është përgjigjur brenda gjysmë ore, mirëpo, televizioni në fjalë nuk i ka publikuar përgjigjet e AGK-së.
Për hir të korrektësisë profesionale jemi të detyruar që t'i publikojmë pyetjet dhe përgjigjet tona.
Në vazhdim pyetjet e KlanKosovës;
Te nderuar
A mundeni, ju lutem, te na pergjigjeni ne keto pyetje:
Cilat kane qene kriteret, sipas te cilave anëtarët e jurisë kanë bërë vlerësimet për storien më të mirë në mediet online?
Cfarë kanë qenë ato vlerësime në pike?
Cilat kanë qenë shpjegimet profesionale të jurisë për këto vlerësime?
Si e komentoni faktin qe te storia fituese http://gazetafjala.com/bjeshket-qe-flasin/ ka elemente të dukshme kopjimi me storien http://klankosova.tv/30-bukurite-e-kosoves-perendimore-qe-…/?
Ju lutem na i dergoni vleresimet komplete te jurise!
Cdo te mire
Pas pranimit të këtij email-i, AGK-ja është angazhuar në kthimin e përgjigjës në kohë sa më të shpejtë.
Organizata jonë ia ka ofruar transparencë të plotë si përmes përgjigjes zyrtare ashtu edhe përmes komunikimit në telefon me Drejtorin e Informacionit të KlanKosovës, Gazmend Syla.
Në vazhdim janë përgjigjet e AGK-së të sqaruara në detaje duke ofruar qasje të plotë në të gjithë dokumentacionin e jurisë.
Përgjigjet e AGK-së;
Përshëndetje,
Duke iu falënderuar fillimisht për pjesëmarrjen tuaj në organizimin tonë të realizuar në kuadër të Projektit “Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat” në vazhdim po ua përcjellim përgjigjet në pyetjet e parashtruara;
- Thellësia dhe vijimësia në trajtimin e temës
- Relevanca e stories me temën e garës
- Kreativiteti
- Stili
Informatë shtesë;
Këto çmime janë ndarë në kuadër të një bashkëpunimi të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës me projektin “Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat” i mbështetur nga qeveria zvicerane.
Me respekt,
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
------------
Por pavarësisht se AGK-ja i ktheu përgjigje televizionit në fjalë, ky medium në orët e pasdites në ueb-site postoi një storie me titull: "Skandaloze: AGK shpall fituese storien me elemente të plagjiaturës nga shkrimi i Klan Kosovës"
AGK-ja e konsideron të papranueshëm faktin se një Televizion si KlanKosova censuron përgjigjen e organizatës kryesore që mbron dhe përfaqëson interesat e gazetarëve në vend.
Ne si AGK i bëjmë thirrje sërish drejtuesve të KlanKosovës që të vijnë në zyrën e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe t'i shohin të gjitha detajet dhe dokumentacionin si dhe vlerësimin e anëtarëve të jurisë.
Po ashtu ne iu bëjmë thirrje atyre që t'i drejtohet mekanizmave vetërregullues "KMSHK-së" dhe institucioneve të drejtësisë në vend në mënyrë që t’i zbardhin dyshimet e tyre sepse AGK-ja nuk është institucioni adekuat për t’i zgjidhur ato.
AGK-ja do të vazhdojë punën e saj në përmirësimin e të drejtave për të gjithë gazetarët duke përfshirë edhe kolegët e KlanKosovës.