Lajmet e fundit

Pas dështimit të mbledhjes së sotme në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku është dashur të diskutohej për ndërrimin e lokacionit të Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, ka reaguar në Facebook i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, njofton Klan Kosova.
Ai e ka akuzuar LDK-në dhe PDK-në për bojkotimin e mbledhjes, duke e vlerësuar se ky veprim nënkupton daljen hapur kundër Shqipërisë për interesa të tyre.
Ky është postimi i tij i plotë:
“Pas disa muajve diskutimesh me përfaqësuesit e Republikes së Shqipërisë u dakorduam për lokacionin e ri të Ambasades së Republikes së Shqipërisë në qendër të qytetit.
Qe dy javë kam kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit për të proceduar para mbledhjes se përbashkët të dy qeverive.
Kur e vërejtëm hezitimin e Kryesuesit e kuptova se në vitin 2007 apo 2008 Komuna gjatë udhëheqjes së LDK kishte ndarë këtë lokacion për partinë pra për LDK për ta ndërtuar selinë SHUMËkatëshe të partisë.
Sot LDK e bojkotoi mbledhjen duke thënë se ajo tokë është e tyre. Po ashtu PdK ka bojkotuar seancën duke dalë hapur kundër Shqipërisë për interesa të LDKsë.
Nuk është hera e parë që komuna gjatë viteve te qeverisjes se tyre ka ndarë prona për vetveten, por kjo sot i tejkalon kufijtë e një beteje të cektë politike që po e bëjnë individë të caktuar brenda dhe jashtë kuvendit komunal.
Republika e Kosovës ka Ambasadë në qendër të Tiranes.
Ky veprim i LDK/PDK në KK Prishtina është turp për shtetin tonë. Qoftë në ndërgjegjen e tyre.”