Lajmet e fundit

Pranvera Arabe nisi me një perimeshitës në Tunizi, i cili pasi i është konfiskuar karroca e punës disa herë dhe është rrahur nga policia, ia kishte vënë flakën vetes, duke ndezur demonstrata në të gjithë vendin, që çuan në rënien e presidentit në vitin 2011, transmeton Klan Kosova.
Impakti i kryengritjes tuniziane, fotografitë e të cilëve u shpërndanë nëpër rrjete sociale, ishte shumë i madh në gjithë rajonin.
Vetëm pas një jave, protestat antiqeveritare filluan edhe në gjithë Egjiptin, duke dalë në rrugë më shumë një se 1 milion njerëz për të kërkuar fundin e sundimit 30 vjeçar të Hosni Mubarakut, dhe duke ia arritur qëllimit në ditën e 18-të të protestave.
Këto ngjarje në Tunizi dhe Egjipt nxitën njerëzit e vendeve të tjera në rajon që të ngrihen kundër liderëve të tyre shtypës.
Pas tyre, protesta kundër pushtetit pati edhe në Bahrain e Jemen, ku nuk munguan as viktimat.
Pranvera Arabe e përshiu edhe Libinë, ku pati luftë civile disa muajshe, deri në rrëzimin dhe vrasjen e Muammar Gaddafi, i cili e sundoi këtë shtet për 42 vjet.
Pa kundërshtime nuk shpëtoi as Bashar al Assad i Sirisë, i cili në po këtë vit përballet me sfidën më të madhe në 40 vjet, shpërthimin e demonstratave masive, ndaj të cilëve reagoi me arrestime masive dhe nxjerrjen e ushtrisë nëpër rrugë për t’i shtypur protestat.
Ajo që filloi vetëm si protestë paqësore në vitin 2011, solli luftë civile e konflikt, i cili po vazhdon tash e pesë vjet dhe ka marrë mbi 250.000 jetë njerëzish.
Përmbysja në Tunizi e ka tronditur botën arabe, duke e rrëzuar idenë se sundimtarët janë imunë ndaj pakënaqësisë popullore.
Kronikë e përgatitur nga Edona Vuçitërna.