Lajmet e fundit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në përurimin e linjës së re të fabrikës së prodhimit dhe përpunimit të xhamit “m- technologie”, e cila bën pjesë në korporatën “Mabetex Group”, përurimin e së cilës e quajti si një nga veprat më të mëdha në vend.
“Sot po shohim një dimension krejt ndryshe të vendit tonë, një dimension që pak kush prej nesh në Kosovë e dinë që ekziston. Pra, po e shohim dimensionin më të madh të mundshëm të investimit në rajon”, tha Haradinaj.
Duke folur për rëndësinë e përurimit të kësaj fabrike, ai deklaroi se ndihet i lumtur që merr pjesë në ngjarje të tilla të cilat hapin vende të reja pune dhe janë në hap me zhvillimet teknologjike në botë.
Ndërkaq, drejtori i kësaj fabrike, Rrustem Pacolli, u shpreh se ndihet i nderuar me pjesëmarrjen e të gjithë të pranishmëve sot, në një ditë shumë të rëndësishme për familjen e tij, por edhe Kosovën.
“Jemi mirënjohës për të gjithë ata që kanë qenë me ne në çdo rrugë dhe kanë kontribuar që të arrihet deri këtu. Kjo shënon kulminacionin e një rruge të nisur dhjetë vjet më parë. Rruga deri këtu ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, dhe më së miri e di familja ime” tha Pacolli.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ministra, deputetë, si dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme vendore e ndërkombëtare.