Lajmet e fundit

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj pas përfundimit të vizitës në Suedi po qëndron në Mynih të Gjermanisë, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga dhomat e tregtisë të Mynihut dhe Bavarisë së Epërme, si dhe qeverisë së këtij shteti. Pjesëmarrës është edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe përfaqësues të vendeve të rajonit.
Në fjalën e tij, kryediplomati kosovar ka thënë se Kosova është duke punuar intensivisht në dy procese paralele që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të saj, ku bën pjesë pjesëmarrja dhe prezantimi i potencialeve në forume ekonomike me vendet e tjera të Ballkanit përfshirë edhe këtë që aktualisht po mbahet, si dhe në kuadër të Procesit të Berlinit ku deri më tani Kosova ka përfituar disa projekte të rëndësishme.
Së dyti, Kosova në agjendën e saj bilaterale ka takime të veçanta me shtete ku vazhdimisht promovon diplomacinë ekonomike dhe në fokus janë organizimi i forumeve të përbashkëta ekonomike.
Pas takimeve që do t’i zhvillojë në Mynih, Hoxhaj së bashku me Ministrin Bushati do të përurojnë hapjen e Konsullatës së përbashkët Kosovë-Shqipëri në Mynih të Gjermanisë, si një nga zotimet e dala nga mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, transmeton Klan Kosova.