Lajmet e fundit

Sot, u zhvillua aktiviteti për Platformën për monitorim dhe raportim, i organizuar si bashkëpunim i Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ku mori pjesë Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, James Macbeth Forbes, drejtor i GIZ-it për Kosovën, Ambasadori gjerman Heldt e personalitete të shquara vendore e ndërkombëtare.
Në fjalën përshëndetëse, Hoxha theksoi se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Kosova ka hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve me BE-në – atë të marrëdhënieve kontraktuale.
“MSA përcakton mekanizmat dhe afatet zyrtare për zbatimin e të gjitha reformave që do ta përafrojnë Kosovën në mënyrë progresive me BE-në në të gjitha fushat e politikave, deri në anëtarësimin e plotë. Zbatimi i MSA-së tashmë ka filluar të sjellë reforma të thella, ndonëse të ndjeshme, politike e ekonomike”, theksoi Ministrja Hoxha dhe shtoi se MSA-ja jo vetëm që pasqyron vullnetin politik të të dyja palëve për jetësimin e perspektivës sonë evropiane, përbën platformën për transformime afatgjata por edhe si test i gatishmërisë së kapaciteteve institucionale për t’i realizuar këto qëllime politike.
Kosova deri në anëtarësimin e plotë, do të miratoj legjislacionin duke e bërë atë pjesë të legjislacionit të saj të brendshëm. Në këtë fazë të re të aderimit në BE, theksoi Ministrja më tej, kemi avancuar kornizën e politikave për integrim evropian, duke e bërë atë më dinamike, më ambicioze, më gjithëpërfshirëse dhe më të integruar, përmes Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.
“Ministria e Integrimit Evropian, si institucion kryesor koordinues, së bashku më institucionet e linjës, ka hartuar Programin për herë të parë në fillim të vitit të kaluar. Programi për Zbatimin e MSA-së përbën dokumentin kryesor strategjik nacional për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e zbatimit të të gjitha reformave të nevojshme për zbatimin e MSA-së dhe në fazat pasuese të aderimit në BE”, tha Hoxha.
Me qëllim të lehtësimit të këtij procesi, theksoi ajo me mbështetjen nga projekti i GIZ-it, Mbështetje procesit të integrimit evropian në Kosovë, kemi zhvilluar Platformën online për monitorim dhe raportim për integrim evropian, e cila do të lansohet në përdorim nga janari 2018. Kjo do të jetë pikë e integruar për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave nga të gjitha institucionet për zbatimin e kornizës nacionale të politikave për integrim në BE – fillimisht të Programit për Zbatimin e MSA-së dhe Agjendës për Reforma Evropiane.
Kjo platformë do të bëjë më të qëndrueshëm monitorimin e progresit në zbatimin e agjendës evropiane duke e thjeshtësuar dhe lehtësuar raportimin e rregullt nga secili institucion zbatues, transmeton Klan Kosova