Lajmet e fundit

Ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se rinisë kosovare po u pamundësohet të qenit të barabartë me moshatarët e tyre të botës, pasi po u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë.
Në një ligjeratë të saj të mbajtur me studentë gjatë një akademie, Ministrja Hoxha tha se atyre po u bëhet padrejtësi pasi nuk po u mundësohet ngritja e kapaciteteve në kushtet që ofron globalizmi, njofton Klan Kosova.
''Pjesa më e mirë e punës sime, janë ditët si kjo sot, kur filloj ditën me studentë nga anembanë bota. Në ligjëratën me studentët e "Kosovo International Summer Academy", 64 pjesëmarrës nga 31 shtete nga të gjitha kontinentet, theksova vlerën e shtetit dhe shtetësisë tonë dhe përkushtimin e pandalshëm për procesin integrues euro-atlantik.
Rinia jonë, padrejtësisht është e privuar nga lëvizja e lirë, nga ngritja e kapaciteteve të tyre për të qenë të barabartë me moshatarët e tyre, vlerat evropiane dhe ballafaqimin me sfidat që ofron globalizmi.
Ne jemi gati për marrjen e përgjegjësive, duke qenë pjesë e pandashme e vlerave evropiane. Po ashtu, u përgjigja në pyetjet e studentëve rreth dialogut, përcaktimit tonë nacional, Të bashkuar në diversitet''.