Lajmet e fundit

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha gjatw raportimit para komisionit parlamentar për Stabilizim-Asociim ka folur për angazhimin e ministrisë me të cilën ajo udhëheq për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mbështetjen e sundimit të ligjit, funksionimin e gjyqësorit dhe vënien e drejtësisë për rastet e krimeve të luftës.
Hoxha, i njoftoi të pranishmit në pika të shkurtra me aktivitetet dhe angazhimet e Ministrisë në rishikimin e një sërë ligjesh në funksion të rritjes së efikasitetit dhe fuqizimit të gjykatave.
“Pjesë e këtyre ndryshimeve, do të jetë rishikimi i çështjes së afatit të zhvillimit të hetimeve për kategori të caktuara të veprave penale, ndjekja e të cilave nuk parashkruhet, pra veprat penale kundër të drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë gjenocidin, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit”, theksoi Hoxha.
Pas hartimit dhe hyrjes në fuqi të legjislacionit për të drejtën për kompensim të viktimave të krimit, si dhe pas ndarjes së mjeteve buxhetore nga Qeveria, theksoi Ministrja, tanimë jemi gati të fillojmë me procesin e kompensimit të viktimave të krimit, proces të cilin jemi shumë të përkushtuar ta fillojmë sa më parë.
"Vëmendje të veçantë po i kushtojmë krimeve të luftës, vuri në dukje ajo duke shtuar se është tejet evidente që Kosova ka infrastrukturën adekuate ligjore për të bërë gjykimin e krimeve të luftës por që mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim".
"Në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në sistemin e burgjeve, respektohen Standardet Minimale të rregullave të OKB-së për trajtimin e të Burgosurve si dhe Rregullave Evropiane të Burgjeve. Njëkohësisht, jemi në finalizim e sipër të Strategjisë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, e cila synon të përmirësoj administrimin e ekzekutimit të sanksioneve penale në Kosovë".
"Duke u bazuar në nevojën që Kosova ta ketë Strategjinë Sektoriale për Rendin dhe Ligjin, e cila do të përcaktonte objektivat strategjike dhe zhvillimore për fushën e sundimit të ligjit, me qëllim të rritjes së efektivitetit të institucioneve shtetërore në zbatimin e ligjit, si dhe përgatitjes që në fazën e ardhshme, pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim, që të jemi sa më afër përmbushjes së kritereve për hapjen e kapitujve negociues, Kapitulli 23 dhe 24, me vendim të Qeverisë, është themeluar grupi për Rishikimin Funksional për Sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë.
“Ky proces do të udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë, kurse me këtë rishikim, përveç përcaktimit të objektivave strategjike, do të synohet që të rishikohet e tërë infrastruktura ligjore që rregullon fushën e sundimit të ligjit, proceset dhe bashkëpunimin në mes të institucioneve me këtë përgjegjësi si dhe do të vlerësohen kapacitetet e institucioneve me përgjegjësi në fushën e sundimit të ligjit”, theksoi ministrja e Drejtësisë dhe shtoi se kështu po përmbushen obligimet e MSA-së për sundimin e ligjit.