Lajmet e fundit

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Sadiku-Hoxha, së bashku me prokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, përfaqësues nga ambasada e SHBA-së, EULEX-i dhe zyra e BE-së në Kosovë, vizituan Depon Qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar në fshatin Llukar.
Kjo vizitë është bërë me qëllim të njohjes me çështjen e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara.
Me këtë rast, Hoxha tha se është e nevojshme që të bëhet shitja e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar që të mos shkaktohen humbje shtesë edhe nga zhvlerësimi i asaj pasurie.
“Shitja e pasurive në fazën e sekuestrimit do të kontribuonte në ruajtjen e vlerës së këtyre pasurive, zvogëlimin e shpenzimeve gjatë administrimit të tyre, si dhe përfitimet që do sillte shitja në këtë fazë”, theksoi ajo duke vënë në pah se shitja e pasurive, ndikon në zvogëlimin e shpenzimeve për administrim që drejtpërdrejt nënkupton kursimin e arkës së shtetit.
“Vetëm sekuestrimi i pasurisë nga Gjykata nuk është i mjaftueshëm, por në këtë proces, duhet që konform dispozitave ligjore në fuqi, të nxirren vendime të cilat e lejojnë shitjen në fazën e sekuestrimit. Nuk do të lejojmë shpenzimin e buxhetit të shtetit për pronën e konfiskuar”, shtoi e para e drejtësisë në Kosovë.
Vlera e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, të pranuar sipas vendimeve gjyqësore është 34,441,645.40, euro, transmeton Klan Kosova.