Lajmet e fundit

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Kishnicës, ka premtuar barazi për të gjithë qytetarët e Kosovës, luftimin e krimit dhe çrrënjosjen e korrupsionit.
“Nuk mund të tolerojmë që e ardhmja jonë të rrezikohet nga krimi dhe korrupsioni. Krimi dhe korrupsioni nuk është luftuar asnjëherë më shumë sesa nga qeveria e kaluar. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Gjatë mandatit katërvjeçar ne do ta çrrënjosim korrupsionin dhe paprekshmërinë e individëve para ligjit”.
Ai ka thënë se Kosova dhe e ardhmja e fëmijëve nuk mund të ndërtohet nga ata që janë mbi ligjin dhe nga ata që kanë probleme me biografinë e tyre.
“E ardhmja e Kosovës ndërtohet nga koalicioni ynë i djathtë me duar të pastra. Ne do ta marrim besimin e qytetarëve për ta pastruar atdheun tonë nga krimi dhe korrupsioni”.
Kryetari i LDK-së dhe kryeministri në largim, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria Hoti do t’ju shërbejë me nder dhe do t’i trajtojë me dinjitet të gjithë qytetarët pa dallim.
“Koalicioni i fitores së madhe të 11 qershorit është alternativa e vetme që ka dëshmuar dhe që garanton ç’kapjen e shtetit. Përmes luftës pa kompromis kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe nëpërmes vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se koalicioni ku ai bën pjesë i ka frikësuar oponentët politikë.