Lajmet e fundit

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që të mos cenohet miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën miqësi ai tha se është jetike për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
“Jemi në prag të përvjetorit të dhjetë të pavarësisë. Një dekadë si shtet i pavarur duhet të na bëjë më të përgjegjshëm karshi obligimeve ndërkombëtare që kemi marrë me vullnetin e lirë”, shkruan Hoti në Facebook.
“Nuk guxojmë të eksperimentojmë dhe të cenojmë miqësitë që kemi me shtetet që na bënë të mundur realizimin e ëndrrave tona për liri e pavarësi”
Për më tepër, ai kërkoi që tre bartësit e institucioneve të vendit të tregojnë mature më të madhe politike.
“Tre bartësit e institucioneve të vendit duhet të tregojnë maturi politike shumë më të madhe. Në fund të fundit, duhet të tregojmë para shteteve mike se nuk i druhemi drejtësisë ndërkombëtare dhe në fakt duhet të kërkojmë me ngulm që kjo gjykatë të jetë shumë më efikase që Kosova të lirohet sa më parë nga çfarëdo akuze e pretenduar”.
“Departamenti Amerikan i Shtetit në deklaratën e fundit ka qenë shumë i qartë në kërkesën që ka ndaj institucioneve të Kosovës dhe spektrit politik kosovar. Pres që të gjitha forcat politike të reflektojnë në këtë drejtim dhe t’i bashkohen LDK-së në ruajtjen e miqësisë me SHBA-të”.
“Për LDK-në, ruajtja e miqësisë së përhershme me SHBA-të është esenciale dhe jetike për rrugëtimin e sigurt të shtetit të Kosovës drejt strukturave euro-atlantike. Rrugë tjetër nuk ka”.
https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/1765906050137408