Lajmet e fundit

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti takoi sot drejtorët e shkollave të komunës së Suharekës. Ai tha se është hera e parë që Qeveria e Republikës së Kosovës ka një program për garën për 340 mijë nxënës.
Në këtë takim Koordinatori Hoti prezantoi Programin Nacional për Rininë dhe i njoftoi drejtorët për fillimin e garës që nga java e ardhshme.
"Programi Nacional për Rininë do të organizohet në formë të garës në tri fusha: Dituri, Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe në Sport. Për secilën garë kemi hartuat udhëzues për mbarëvajtjen e garës të cilët veçse janë shpërndarë nëpër shkolla. Gara në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik do të filloj më 19 shkurt të këtij viti dhe kam besimin e plotë që ju do të bëni më të mirën për implementimin e programit”.

I pranishëm në takimin e Koordinatorit Hoti me drejtorët e shkollave të Suharekës ishte edhe Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, i cili premtoi shpërblime për fituesit.
"Synimi ynë është ta ndryshojmë për të mirë cilësinë e arsimit. Ne si komunë do të japim shpërblime për të gjithë fituesit e kësaj gare në nivel shkollor dhe komunal sepse ku ka konkurrencë ka cilësi".
Drejtori i DKA-së në Suharekë, Remzi Bytyçi, tha se kjo garë është e rëndesishme për nxënësit sepse për herë të parë po organizohen në mënyrë institucionale.
"Është e rëndësishme që ky program do të realizohet në parimin e gjithëpërfshirjes së nxënësve. Ne si drejtori e kemi pëlqyer këtë program, shpresojmë dhe do të angazhohemi që ky program do të jetësohet në mënyrën më të mire të mundshme".
Programi Nacional për Rininë përfshin të gjithë nxënësit e nivelit parauniversitar dhe universitar në Republikën e Kosovës në tri fusha: Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, Dituri dhe Sport.