Lajmet e fundit

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria aktuale e degradoi MSA-në dhe gjithë procesin e integrimit evropian të Kosovës duke ia nënshtruar atë zbatimit të Marrëveshjes së Ohri.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka pohuar se në vitin 2015, Qeveria Mustafa ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, e cila e trason rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
"Kjo mbetet marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian, sigurisht me status të veçantë pasi kishte dhe ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Qeveria aktuale e degradoi MSA-në dhe gjithë procesin e integrimit evropian të Kosovës duke ia nënshtruar atë zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka disa nene shumë problematike për rendin kushtetues dhe ligjor së Kosovës. Marrëveshja e Ohrit u bë me vullnet të lirë, bile Kryeministri insistonte nëpër korridoret e hotelit në Ohër për nënshkrim të marrëveshjes".
"Tani kur është bërë dëmi, kur Kosova po vuan nga sanksionet e Bashkimit Evropian që kanë bllokuar rreth 300 milionë për projekte të ndryshme, në Shkup, Kryeministri kërkon që të shkëputet procesi i integrimit evropian i Kosovës nga Marrëveshja e Ohrit. Gjithë ai aparat qeveritar, me gjithë ata këshilltarë, e me Presidenten juristen, si nuk e kanë kuptuar gropën ku kanë rënë me pranimin e Marrëveshjes së Ohrit? Është e kuptueshme tani injorimi që iu bënë BE-ja kur kërkojnë të shkëputet procesi i integrimit evropian të Kosovës nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, ka thënë Hoti./Klankosova.tv