Lajmet e fundit

Ministri i Financave Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook është shprehur se përqendrimi kryesor i të gjithë dikastereve qeveritarë duhet të jetë zvogëlimi i papunësisë dhe i varfërisë.
Hoti këtë deklaratë e ka bazuar në studimin e fundit të nxjerrë nga UNDP sipas të cilit 43% e qytetarëve e shohin papunësinë si problem kryesor dhe 31% varfërinë e që sipas ministrit Hoti janë problemet e kosovarëve.
“Të dyja këto probleme janë të lidhura bashkë - papunësia shkakton varfërinë, të varfrit nuk mund të shkollohen si duhet dhe të kujdesen për shëndetin, të përgatiten për treg të punës, apo të jenë pjesëmarrës aktiv në shoqëri. Ata margjinalizohen dhe zëri i tyre nuk artikulohet dhe nuk dëgjohet në debatet publike”, ka thënë ai, transmeton Klan Kosova.
Hoti është shprehur gjithashtu se të gjitha përpjekjet institucionale duhet të jenë në ofrimin e alternativave për problemet e tilla.
“Nuk ka asgjë më të rëndësishme për t’i përqendruar energjitë tona. Secili duhet të japë kontributin e vetë, secili dikaster qeveritar, secili institucion i pavarur, legjislativi (pozitë dhe opozitë), institucionet arsimore dhe palët e tjera”, ka përfunduar ai.