Lajmet e fundit

I nominuari për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti ka thënë se ata do t’i sjellin qetësi vendit kur do të vijnë në qeverisje.
Ai ka pohuar se janë duke u munduar që të komunikojnë me të gjitha kategoritë e shoqërisë edhe tash pas hapjes së fushatës, por se ka shtuar se këtë e kanë bërë vazhdimisht si parti, njofton Klan Kosova.
Më tej ai është përgjigjur ndaj kritikëve që kanë akuzuar se ata si koalicion nuk kanë program qeverisës.
“Nëse ka dikush program është LDK-ja”, ka thënë Hoti në Magazina Zgjedhore.
“Është një ekstrakt tjetër i programit rreth 30 faqe, kurse programi i plotë është mbi 100 faqe. Nesër qytetarët do ta kenë në dorë këtë kontratë”, ka shtuar Hoti.
“Është një mesazh i qartë për nevojën që ka ky vend për të pasur qetësinë në familje, biznes, shkollë etj”.
Ai ka thënë se me ofertën e tyre duan ta bëjnë të qartë kontratën që ata kanë për qytetarët.