Lajmet e fundit

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka takuar sot përfaqësuesit e Komisionit Evropian, të kryesuar nga Hillen Francke, Koordinatore për programet ekonomike të Reformës dhe Zgjerim, DG NEAR në Komisionin Evropian, me të cilët ka diskutuar për Programin për Reforma në Ekonomi (PRE).
Në këtë takim, Hoti, në cilësinë edhe të Koordinatorit Nacional foli për hartimin e dokumentit ‘Programi për Reforma në Ekonomi’ (PRE) si pjesë e dialogut për politika ekonomike ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
“Në këtë proces, institucionet që ne përfaqësojmë kanë bërë një punë të madhe në forcimin dhe avancimin e këtij dialogu. Siç mund të jeni në dijeni, vlerësimet që kemi pranuar për dokumentin e parë të përpiluar (PRE 2015) kanë qenë mjaft pozitive, ndërkaq na gëzon edhe më shumë fakti se dorëzimi i dytë, ai i vitit të kaluar (PRE 2016) u vlerësua si përmirësim i dukshëm nga ai i pari”.
Ai bëri të ditur se sfidat kanë të bëjnë me fushat si: Menaxhimi i Financave Publike, Energjia, transporti dhe tregu i telekomunikimit, zhvillimet sektoriale, mjedisi i biznesit dhe ulja e ekonomisë joformale, hulumtimi dhe inovacioni, tregtia e jashtme dhe përkrahja e investimeve, arsimi dhe aftësitë, punësimi dhe tregu i punës, përfshirja sociale, ulja e varfërisë dhe mundësitë e barabarta, transmeton Klan Kosova.
Sipas ministrit Hoti, “pjesa më e madhe e çështjeve nga fushat e sipër-përmendura janë ato të vitit të kaluar; meqë kemi të bëjmë me reforma strukturore është e kuptueshme se ato nuk mund të ndryshojnë dukshëm nga viti në vit".
"Megjithatë, kjo na tregon se duhet punuar më tepër në drejtim të tejkalimit të sfidave, e këtë mund ta arrijmë vetëm duke punuar së bashku. PRE, si çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor, edhe Kosova e dorëzon në Komisionin Evropian në cilësinë e një shteti që fillon rrugëtimin brenda procesit të Stabilizim Asociimit si partner i barabartë. Në këtë kontekst, besoj se është në interesin e të gjithëve që të dorëzojmë një dokument sa më kualitativ në të cilin mund të mbështetemi për planet tona zhvillimore”.
Ndërsa, Hillen Francke, Koordinatore për programet ekonomike për Reformë dhe Zgjerim, DG NEAR në Komisionin Evropian, theksoi se Komisioni Evropian dhe Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) do të ofrojnë përkrahjen e tyre gjatë këtij procesi për të tejkaluar sfidat me të cilat përballet Kosova.
Dokumenti i Programit për Reforma në Ekonomike i dorëzohet Komisionit Evropian në fund të janarit ku më pas jepen vlerësimet në lidhje me këtë dokument për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor .