Lajmet e fundit

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, ka shpalosur Programin Nacional për Rininë në një takim me udhëheqësit e Institucioneve Edukativo-Arsimore të Komunës së Prizrenit.
Hoti ka njoftuar se gara në kreativitet kulturor dhe mendim kritik do të fillojë me 19 shkurt të këtij viti për të gjithë nxënësit e shkollave në Republikën e Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Për herë të parë me vendim të Qeverisë së Kosovës është bërë institucionalizimi i garës, e ky vendim e ka vënë nxënësin në qendër. Me Programin Nacional për Rininë konkurrenca do të futet në mesin e të rinjve të cilët do të kenë mundësi të shprehin aftësitë e tyre në fusha të ndryshme. Do të ndahen mbi 30 mijë shpërblime për nxënësit fitues të vendeve të para. Shpërblime do të ketë për mësimdhënësit dhe për shkollën më të mirë. Çmimi për shkollën më të mirë do të jetë 10 mijë euro. Pra, ka motivim të mjaftueshëm për garë, por është në duart tuaj që ta bëni menaxhimin më të mirë të mundshëm”, tha Hoti.
Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Prizren, Skënder Susuri, mirëpriti Programin duke e cilësuar si një mundësi të mirë për angazhim në aktivitetet jashtë kurrikulave.
“Unë ju premtoj që do ta mbështesim këtë program sepse është një mundësi e jashtëzakonshme për nxënësit tanë. Jam shumë i lumtur që nga tash nxënësit nuk do të vijnë në shkollë vetëm për të mësuar mekanikisht, por do të nxjerrin më të mirën nga vetja”, tha Susuri.
Programi Nacional për Rininë do të zbatohet në të gjitha shkollat e Kosovës në tri nivele: niveli Shkollor, Komunal dhe Republikan i garave në dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik, si dhe në sport.
Për më shumë, në garë do të përfshihen rreth 340 mijë nxënës dhe rreth 110 mijë studentë. Gara në dituri do të zhvillohet nëpërmjet testeve në të gjitha lëndët e arsimit parauniversitar. Gara në kreativitet kulturor dhe mendim kritik do t’u mundësojë nxënësve dhe studentëve t’i shprehin aftësitë krijuese dhe fuqinë e mendimit nëpërmjet krijimeve kreative. Ndërsa, gara në sport do të zhvillohet në formë të kampionateve në pesë disiplina: atletikë, shah, volejboll, basketboll dhe futsall.