Lajmet e fundit

Ramush Haradinaj, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se pas propozimit të tij të djeshme për të ngritur memorialin e shqiptarëve të vrarë në Betejën e Kosovës, kanë ardhur edhe disa reagime.
Ky është shkrimi i plotë i Ramush Haradinaj i cili vjen si në përgjigje ndaj Aleksandar Vulinit, ministri të Punës në Qeverinë e Serbisë, i cili dje tha se “disa shqiptarë dëshirojnë që ta ndryshojnë historinë serbe”
“Pas propozimit tim të djeshëm që institucionet e Republikës së Kosovës ta ngrisin një memorial për shqiptarët e vrarë në Betejën e Kosovës, ka pasur disa reagime, sa emocionale aq diletanteske, prej asaj se unë i jam vënë në mbështetje “Car Llazarit” e deri te ajo se po provoj ta ndryshoj historinë e serbëve”!
“U përgjigjem të gjithë këtyre zërave, se unë nuk po merrem as me lavdinë e as me historinë e të tjerëve. Po kërkoj një lapidar ose memorial, ku do të kujtoheshin të gjithë ata shqiptarë, e që nuk janë pak, që ranë në Betejën e Kosovës, sepse edhe historia edhe lavdia u përket atyre, dhe mitet nuk mund t’i ndryshojnë faktet historike”.
“Sa u përket zërave se unë po provoj ta ndryshojë historinë serbe, i siguroj ata se historia shqiptare, është shumë më e vjetër se krejt historitë e Ballkanit! Kanë qenë vet historianët serbë që e kanë falsifikuar historinë e tyre, por kjo është punë e tyre dhe jo imja”.
“Historianët serbë e dinë mirë se në Betejën e Kosovës kanë marrë pjesë ushtritë e princave shqiptarë dhe është mirë që për këtë t’i mësojnë edhe politikanët e padijshëm të tyre”.