Lajmet e fundit
Cila është historia pas çmimit “Kadare”, si pranoi shkrimtari i madh të jepte bekimin dhe emrin e tij për një konkurs të letrave shqipe? Ç’do të thotë një çmim i ri për autorët e prozës shqipe?

Në një takim në kafene - me gjasë e famshmja “Cafe Rostand” e shndërruar thuajse në një shenjtërore krijimi për shkrimtarin- përgjigjja ishte jo ajo që prisnin me ankth dy bashkëbiseduesit, miku i tij Ylljet Aliçka dhe botuesi Henri Çil.
Por ky i fundit nuk hoqi dorë nga ideja.
Kishin kaluar dy vite e jo pak përpjekje për ta bindur që vetë shkrimtari të jepte bekimin dhe miratimin për një çmim të tillë dhe ishte sërish Ylljet Aliçka, kësaj here jo më ambasador në Paris, por pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, i cili foli edhe një herë për idenë e vjetër, kësaj here frytdhënëse. Bisedat zhvendoseshin në hapësirë, por energjia për të marrë një përgjigje pozitive ishte e njëjta; nga Mali i Robit, te Juvenilja e në Kafe Rostand në Paris. Skepticizmit të natyrshëm të fillimit te shkrimtari ia zuri vendin një marrëveshje përkundër mosmarrëveshjes, pra thirrja e kumtit që opusi i tij letrar të jetë pjesë e respublicas edhe nëpërmjet universitares, t’u jepet gjeneratave që do i vijnë Shqipërisë.
Shkrimtari disa herë kandidat për çmimin “Nobel”, pranoi që Fondacioni MAPO të themelonte çmimin letrar “Kadare”, çmimi më i ri për autorët shqiptarë, i cili u shpall dy ditë më parë në një ceremoni në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, ku morën pjesë shkrimtarë, përkthyes, akademikë e gazetarë.
Një çmim që do të akordohet në muajin nëntor, ku i pranishëm do të jetë edhe vetë Kadare, mbi një vepër në prozë.
“Është një stimul ndaj letërsisë shqipe, për vetë vlerat dhe emrin që mbart. Por edhe vlera monetare është e volitshme”, – shprehet Aliçka duke theksuar se shkrimtarja është një nga profesionet më të vështirë në vend.
“Është tejet e vështirë të jetosh me këtë punë, për të mos thënë e pamundur. Përveç Ismail Kadaresë, asnjë tjetër shkrimtar shqiptar nuk ia ka dalë të jetojë me të ardhurat e fituara nga botimet”, – vijon ai. Ndaj, qoftë edhe vetëm në aspektin utilitar, ky çmim merr një rëndësi të madhe në arenën e letrave shqipe.
“Askush nuk akordon një vlerë të tillë në çmim. As jashtë vendit. Ja, unë për shembull, kam fituar një çmim letrar në Itali dhe vlera monetare ishte 1 mijë euro. Mendoj se 10 mijë euro është një çmim i mirë”, – pohon Aliçka. Shtuar këtu edhe botimin e siguruar nga “Mapo Editions”, e bëjnë këtë çmim tejet të fuqishëm.
“Fakti që ky çmim është i fokusuar vetëm në letërsinë shqipe, ka disa të veçanta që vërtet do të zënë një vakuum në letrat shqipe”.
Aliçka rrëfen se me të dëgjuar mbi këtë çmim kanë nisur menjëherë interesimet nga rrethi i shkrimtarëve që kërkojnë informacione më të detajuara rreth konkurrimit.
Të interesuarit e parë kanë qenë autorë të rinj, ka edhe nga ata që pyesin nëse mund të konkurrojnë me poezi. Por kushti kryesor i këtij çmimi është proza, proza shqipe.
Ndaj nuk është menduar të përfshihen përkthimet, por i është lënë e gjithë fusha e veprimit krijimtarisë origjinale në gjuhën shqipe. Që sipas Aliçkës, duke pasur parasysh emrin e madh të shkrimtarit që mban dhe vlerën e shtuar, i bën edhe anëtarët e jurisë shumë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm në përzgjedhjen e fituesve.
Shkrimtari Zija Çela ka paraqitur veprën e tij në dorëshkrim dhe Rudolf Marku është duke i dhënë dorën e fundit një romani që do e paraqesë në konkurrim, gjë që e bën të tërhiqet nga juria e Çmimit “Kadare”, siç e saktëson edhe statuti.
Fituesi i parë do të zbulohet në fillim të nëntorit. Do të jetë fundjava në prag të hapjes së Panairit të Librit dita që do të kurorëzojë autorin që juria do ta vlerësojë si më të mirin mes pjesëmarrësve në këtë konkurs. E kështu, nëntori i një kryeqyteti, siç është titulli i një libri të Kadaresë, do të shndërrohet këtë vit në nëntorin e çmimit “Kadare”. Por vetëm për këtë vit, pasi për vitet e ardhshme themeluesit e këtij çmimi kanë vendosur ta akordojnë në muajin maj, gjatë aktivitetit “Ditët Letrare të Razmës”, të organizuar nga Qendra e Studimeve të Letrave Shqipe “Kadare”.
Jo vetëm për emrin me peshë të madhe që mban, jo vetëm për vlerën monetare që do të japë, jo vetëm për specifikat që ka në konkurrim, ku synohet të forcohet proza shqipe, por edhe për ambicien që themeluesit kanë që të krijohet një treg ndërkombëtar për librin dhe autorin duke e botuar por edhe përkthyer në gjuhë të huaja, e bën këtë çmim të rëndësishëm në hapësirën shqiptare, si një shtysë për më tej.