Lajmet e fundit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi Christopher Hill tha se ShBA-ja respekton nevojat e Serbisë në dialogun me Kosovën dhe se e di se për palën serbe formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është i një rëndësie vendimtare në procesin e dialogut, por që në të njëjtën kohë ka elementë të kërkuar nga pala tjetër, të cilat, tha ai, gjithashtu duhet të përfshihen në marrëveshje.
“Përmes përpjekjeve diplomatike, ne po përpiqemi të vlerësojmë se çfarë është ajo që u nevojitet të dyja palëve. Ne e respektojmë palën serbe dhe jemi të mendimit se formimi i Asociacionit të Komunave (me Shumicë, shën.red.) Serbe është i një rëndësie të jashtëzakonshme, domethënë vendimtare për palën serbe. Formimi i AKS-së është një çështje që diskutohet për dhjetë vjet. Në të njëjtën kohë, mendoj se edhe palës kosovare i duhen disa gjëra – të cilat në radhë të parë reflektohen në nevojën që ajo palë të njihet ndërkombëtarisht dhe në përpjekjet e tyre për normalizimin e situatës në kufirin me Serbinë”, tha ai, raporton “Zëri i Amerikës” në gjuhën serbe, transmeton Klankosova.tv.
Hill shtoi se negociatorët e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga ShBA-ja, po përpiqen shumë që të gjejnë atë që është thelbësore për secilën palë në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe t’i kombinojnë këto elemente në një marrëveshje.
“Nuk është e lehtë për t’u bërë, por mendoj se duhet të jemi jo vetëm mbështetës për atë që po përpiqen të bëjnë këta njerëz, por edhe të durojmë. Ndërkohë, mendoj se duhet ta bëjmë shumë të qartë se çdo mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë çështje me armë ose me mjete të tjera të dhunshme është krejtësisht e papranueshme dhe se të gjitha palët duhet të mbeten të fokusuara në dialogun e Brukselit”, tha Ambasadori Hill.
I pyetur nga “Zëri i Amerikës” se si e interpreton qëndrimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se kishte dyshime se kryeministri Albin Kurti do të formonte AKS-në në çfarëdo formati, Hill tha se nuk e di pse Vuçiqi kishte një qëndrim të tillë dhe që beson se “oferta në tavolinë” është racionale.
“Unë mendoj se oferta që është në tryezë është racionale dhe se të dyja palët do të fokusohen në atë që është në atë tryezë”, përfundoi Christopher Hill. /Klankosova.tv