Lajmet e fundit

Pas lajmit të cilin kancelarja gjermane, Angela Merkel, e bëri të ditur më të përfunduar takimin me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën, në Berlin, se kompania e madhe gjermane Bilfinger është e interesuar të investojë në sektorin e energjisë në Kosovë, në Info Magazine në Klan Kosova, u diskutua për ofertën që i është bërë qeverisë kosovare nga kjo kompani.
Në Klan Kosova kanë debatuar Ministri Arban Abrashi, anëtari i NISMA-s Bilall Sherifi, dhe përfaqësuesi i Bilfinger në Kosovë, Avni Kurshumliu.
Arban Abrashi, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Zëdhënës i Qeverisë, e ka konfirmuar faktin se një ofertë nga kompania Bilfinger për të investuar në energjetikën e Kosovës tashmë ekziston.
Ai ka thënë se Qeveria po e pret planin financiar për jetësimin e këtij projekti.
“Projektet investive gjermane kanë qenë temë kyçe në takimin Mustafa-Merkel".
“Është diskutuar edhe për një ofertë të një kompanie gjermane - Bilfinger, për të investuar në bllokun Kosova A".
"Bilfinger e ka një plan strategjik për ta rimëkëmbur termocentralin Kosova A, mirëpo ende nuk dihet çmimi dhe po pritet oferta financiare”, ka thënë Abrashi.
Ndërsa, Bilall Sherifi, anëtari i kryesisë së NISMA-s, ka shprehur shqetësimin e tij se lajmi për një ofertë të tillë nuk është dhënë nga Qeveria e Kosovës, por është heshtur rreth kësaj çështjeje.
“Faktin që Merkel po përmend një ofertë nuk e kam dëgjuar fare nga Isa Mustafa”.
“Qeveria nuk e ka thënë asnjë fjalë për projektin që e ka ofruar një kompani e fuqishme gjermane”.
“Nuk do të kemi një rast të dytë që kompania gjermane të ofrojë investime në Kosovë”.
“Merkel ka përmendur ngritjen në këmbë dhe aftësimin e sektorit energjetik të Kosovës”.
Abrashi ka deklaruar se pas kthimit nga vizita zyrtare, Isa Mustafa në një konferencë për shtyp do t’i shpalosë detajet nga takimet atje.
“Mustafa do të takohet me industrialistë të mëdhenj gjermanë. Është një kompani gjermane që është e interesuar në ndërtimin e Kosovës së Re. Ndërtimi i autostradës Western Balkan Six, rindërtimi i hekurudhës, sistemi i ujitjes, janë këto projekte të cilat kanë tërhequr investitorë të rinj”.
Në një lidhje direkt është inkuadruar edhe përfaqësuesi i kompanisë gjermane Bilfinger në Kosovë, Avni Kurshumliu, i cili ka thënë oferta e kësaj kompanie i është prezantuar qeverisë pothuajse para dy vitesh, mirëpo, nuk është marrë seriozisht.
“Programi i Bilfinger i është prezantuar sërish kabinetit qeveritar të Isa Mustafës”.
“Ish ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli u tregua joserioz karshi ofertës së kompanisë sonë, kurse ministrat aktualë Blerand Stavileci dhe Avdullah Hoti, ende nuk kanë bërë asgjë rreth projektit”.
Kurshumliu ka bërë të ditur se tashmë është kryer studimi financiar dhe e ka treguar çmimin e ofertës së Bilfinger.
“Oferta komplet është 800 milionë euro”
“Por, Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë 300 milionë euro”.
“Kosova do të ketë mungesa të energjisë nëse nuk rindërtohet Kosova A dhe nuk fillohet ndërtimi i Kosovës së Re”.
Ai ka thënë se për përfundimin total të projektit duhen gjashtë vjet.
Gjatë debatit, Sherifi e ka akuzuar Abrashin se ekzekutivi e ka neglizhuar investitorin gjerman, kurse Abrashi i është kundërpërgjigjur duke i thënë se këtë e ka bërë qeveria e kaluar.