Lajmet e fundit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, ka inspektuar sot punimet në kampusit të shkollave të mesme të Gjilanit.
I pari i Gjilanit është ndarë tejet i kënaqur që tashmë po përfundon faza e parë e investimeve, duke thënë se ambienti ka ndryshuar qind për qind.
“Është njëri prej programeve më të mëdha që e kemi në kuadër të investimeve në arsim. Faza e parë siç po shihet është përfunduar dhe të hënën gjithçka është gati që nxënësit, arsimtarët dhe stafi teknik të vijnë në një ambient krejt të ri me një pamje krejt tjetër. Ambienti këtu ka ndryshuar qind për qind”, ka thënë Haziri.
Ky investim është bërë përmes një partneriteti publiko-privat, ndërkaq Haziri theksoi edhe rëndësinë e qëndrimit brenda të nxënësve gjatë procesit mësimor.
“Nuk ka hyrje dalje prej kampusit dhe nuk lejohet asnjë lloj shërbimi që nxënësit mund të rrezikohen, qoftë alkool apo duhan”, ka shtuar Haziri.
Për më tepër Haziri po shpreson që ky është hapi i parë para fillimit të ndërtimit të kampusit universitar “Kadri Zeka”.
E kënaqur me fazën fillestare është ndarë edhe Drejtoresha e Arsimit, Shqipe Kastrati Haziri, përderisa Fadil Beqiri, menaxher nga kompania që po i kryen punimet, ka konfirmuar se pjesa e parë e investimeve përfundon të dielën, duke shtuar se investimet do të zgjasin 3vjet, në tri faza